Politike

PD-Prokurorisë: Të verifikohet kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, akuzohet për trafik droge në Itali. Marinaj: Skenar i fabrikuar 

:Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm verifikimin sipas ligjit të dekriminalizimit të Kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj

Kërkesa është firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi dhe një sërë deputetësh.

“Nga informacionet që disponohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Tonin Marinaj, me detyrë Kryetar i Bashkisë së Malësisë së Madhe, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të ligjit nr. 138/2015. Kjo kërkesë bëhet në kushtet kur ekzistojnë të dhëna dhe informacione, që ngrenë dyshimin e arsyeshëm, se subjekti Tonin Marinaj, ka kryer veprimtari të paligjshme”, thuhet në kërkesën e grupit të PD

Më tej grupi sqaron: “Në datën 5 qershor 2015, Drejtoria Rajonale Antimafia, e Prokurorisë së Republikës, pranë Gjykatës së Firences, e përfaqësuar nga prokurori Dr. Giulio Monferini ka njoftuar mbylljen e hetimeve paraprake ndaj personave të hetuar, ku rezulton se shtetasi Tonin Marinaj, lindur në Shqipëri, më 05.12.1996, është në rolin e themeluesit, nxitësit dhe drejtuesit të një organizatë kriminale e përbërë prej më shumë se dhjetë anëtarësh, me tipare ndërshtetërore, me baza vepruese në Shqipëri dhe Itali, e angazhuar sistematikisht, profesionalisht dhe në vazhdimësi në eksportimin në territorin italian të sasive të mëdha të mariuanës për t’u shpërndarë me pakicë nga anëtarët e organizatës kriminale. Hetimet janë kryer në kuadër të procedimeve penale nr. 1615/2010, nr. 14109/2010 dhe nr. 15892/2011 të Prokurorisë Antimafia në Firence”.

Sipas grupit të PD, “Në datën 12 maj 2016, Zyra e Gjykatës për Hetime Paraprake, pranë Gjykatës së Firences, me gjyqtar Angelo Antonio Pezzuti pasi ka shqyrtuar kërkesën për gjykim dhe provat në ngarkim të të pandehurve, ku sërish relatohet se Tonin Marinaj është drejtuesi, organizuesi dhe nxitësi i organizatës kriminale të angazhuar në trafikimin e lëndës narkotike të llojit mariuanë, ka vendosur caktimin e seancës gjyqësore paraprake në dhomë këshillimi në datën 13 tetor 2016”.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të verifikimit të thelluar të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit nga shtetasi Tonin Marinaj, me detyrë kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe, si dhe referimin e gjetjeve përkatëse, për hetime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Posacme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), për nisje të hetimeve për dyshimin e arsyeshëm të kryerjes së veprës penale të fshehjes së të dhënave në formularin e vetëdeklarimit apo veprimtari të tjera kriminale”, thuhet në njoftimin e grupit.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Malësisë së Madhe ka reaguar mbremje vonë.

“…Me neverinë dhe përbuzjen më të madhe hedh poshtë jo vetëm këtë “skenar” të turpshëm, të pabesueshëm e qesharak por çdo sulm e akuzë të fabrikuar ndaj personit tim, Bashkisë Malësi e Madhe dhe malësorëve të mi.

Jam i hapur përballë çdo institucioni si KQZ, prokuroria, KLSH-ja, SPAK-u apo çdo organizëm tjetër, vendas dhe i huaj që të shqyrtojë çdo informacion në drejtimin tim. Ofroj bashkëpunimin tim maksimal për t’i lehtësuar punën me një synim të vetëm: Të gjitha të vertetat të dalin në shesh dhe t’i mbyllet goja e shthurur e shpifjes çdo personi, qoftë ose jo anëtar apo drejtues i njërës prej PD- ve.

Në mbyllje, garantoj të gjithë shpikësit, shkruesit e materializuesit e këtij “skenari” të turpshëm, njëkohësisht siguroj të gjithë banorët e Malësisë së Madhe se vitin që vjen, të gjithë këtyre gojështhururve, do t’i japim përgjigjen e merituar, me votën tonë, si edhe herët e tjera…”, shkruan ndër të tjera Marinaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë