Politike

I vëllai në SPAK, Rama e ka me Bardhin inatin: Një çingije, që s’ka bërë as kallëzim. Reagon Bardhi: Lexo përgjigjen e Dumanit  

Ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama për paraqitjen e vëllait të tij në SPAK lidhur me dosjen ‘Xibraka’. Por më së shumti është fokusuar tek reagimi i Gazment Bardhit i cili tha se Olsi Rama gënjeu ku pranoi se kishte përdorur vetëm njëherë makinën e trafikantëve porse me këta të fundit nuk kishte lidhje, ndërkohë që referuar TIMS, sipas Bardhit, ai e ka përdorur 7 herë.   

“A ju kujtohet kur thoshte “kallzim more kallzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?! Kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallëzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallëzuar, t’i bënte kallzim për kallzim të rremë.

Mirëpo ja që s’paska qenë kallzim i rremë sepse s’paska qenë fare hiç kallzim, po një tjetër kërcim i çingijes në prehërin e tutorit të ri lart në ballkon.

Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallëzim që nuk ekziston!

Fatmirësisht SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehërin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallzimin e paqenë!”, thotë kryeministri i  vendit Edi Rama.

Reagoi serish Bardhi:

"Vëllai i Olsit vazhdon me gënjeshtrat ditore, duke përhumbur në nocione juridike që as i kupton dhe as nuk mund ti kuptojë. Po more budalla po kallëzim kam bërë! Lexo përgjigjen e drejtuesit të prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani!

Unë nuk do bëjë kallëzimin në formën që don ti dhe yt vëlla, me qëllim rivarrosjen e çështjes që ekziston nga Prokuroria e Hanoverit.

Unë kam bërë kallëzim siç e kërkon ligji në këtë fazë ku ndodhet çështja penale, dhe që ka risjell ekzaktësisht atë që unë kam kërkuar: “Rihapjen e dosjes penale 335/1-2016 që prokurori yt personal e kishte varrosur në 2018”.

Tani mban nr. 88-2024, që do të shënjoje gjatë gjithë jetës dhe duhet ta mbash mend mirë! Deri atëherë, ndrysho strategji, të fala Olsit dhe kujdes narkoautomjetit me targa AA 653 DM!"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë