Njerez

‘S’e lë dot fëmijën vetëm para TV’, Ardianë Pajaziti: Institucionet të bëjnë më shumë për artin dhe kulturën

Nga Gazeta Si- A mund të prodhosh art pa para? Është kjo pyetja që iu bë Ardianë Pajaziti, një nga gazetaret e kulturës më të njohura në Kosovë që prej vitesh është dhe promotorja më e madhe e kulturës dhe artit, në Podcastin e ri në Gazetasi.al.

“E kanë dëshmuar edhe të tjerë që mund të prodhosh, por të jetosh më pas është pyetja”, tha Pajaziti, duke thënë se të jetosh me art është e vështirë.

Pajaziti foli edhe për shoqërinë që po rriten dy vajzat e saj por dhe fëmijët e tjerë, me mungesën e informacionit që merret në media dhe ‘rrëmujën’ e madhe që bëhet jashtë mureve të shtëpisë.

“Fëmijët tanë po rriten në një shoqëri jo të lehtë. As rrethanat nuk janë të lehta. Atë që jam duke e mbjellë në shtëpi unë e shoh që vazhdimisht zhbëhet ai mozaiku kur fëmijët dalin jashtë, duke marrë diçka nga kopshti, shkolla apo aktivitetet. Kështu e sheh se jo gjithë ai investimi siç ti e jep po shpërblehet”, tha Pajaziti.

Ajo shtoi se një ndikim kanë edhe rrjetet sociale, por jo aq shumë sa ndikon mungesa e një bashkëpunimi mes familjes, shkollës dhe institucioneve.

“Në lidhje me artin dhe kulturën, duhet që në mediat dhe institucionet duhet të bëjnë më shumë. Është e vështirë që të ndezësh televizorin dhe të lësh fëmijën me lirinë për të parë ndërkohë që ti merresh me dicka tjetër. Nuk e ke këtë liri. Mungon trekëndëshi familje-shkollë-institucion që të kemi më shumë nën kontroll atë që po ndodh”, shpjegon Pajaziti, e cila shton se ajo i merr gjithmonë me vete fëmijët nëpër evenimente të ndryshme por gjithmonë duhet të interesohet para për llojin dhe përmbajtjen e evenimentit, nëse është i përshtatshëm për fëmijët e saj.

“Roli i prindërimit është bërë shumë i vështirë. Ne në ballkan kemi një kujdes të tepruar pikërisht sepse ka probleme institucionale. Pra ne e teprojmë me kujdesin sepse ka mungesë institucionesh”, tha Pajaziti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë