Politike

Rama shigjeton prokurorët për nxjerrje të sekretit hetimor dhe mbron gazetarët: Lajmësi nuk ka faj, por ai që ia jep

Në një konferencë për të drejtën e informimit, ditën kur po përflitet shumëçka mbi aksione të mundshme të SPAK lidhur me inceneratorin e Tiranës, që prekin të tjerë personazhe të politikës por edhe publikë, kryeministri Edi Rama pati një mesazh të drejtpërdrejtë jo për mediat por për prokurorët, të cilët i fajësoi se janë ata që nxjerrin sekretin hetimor.   

Duke u ndalur te rasti i gazetarit Elton Qyno, apo dhe disa raste të tjera në kohën e pandemisë së COVID-it, kryeministri Rama u shpreh se nëse një sekret hetimor iu bie në dorë gazetarëve, duhen hetuar ata që ua dhanë këto informacione, pra burimin dhe jo lajmësin.

“Sekreti hetimor është diçka tjetër. Përfitoj nga rasti të falënderoj Avokaten e Popullit, me një rast të një gazetari i cili u akuzua dhe u keqtrajtua për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka ndodhur edhe gjatë pandemisë kur prokuroria ju vu mbrapa ca gazetarëve dhe për mua gazetarët nuk nxjerrin sekrete hetimore. Pas gazetarët nuk i deponojnë sekrete, i disponojnë prokurorët. Kur i bie në dorë sekretit gazetarët nuk është më detyrimi i tij të ruajë sekretin. Dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ia dhanë atij. Kjo është elementare. Që në Kanun shkruhet e zeza në të bardhë lajmësi nuk ka faj, kush e prodhoi ose kush ja dha që ta çoj dikur tjetër është burimi që duhet të merresh. Informacioni, mbi gjithçka që institucionet publike bëjnë dhe mbi gjithçka që ekzistojnë në letër në vulë në firmë, dhe që nuk përfshihet në një hapësirë të ngushtë, është pronë publike që shteti nuk ka as një të drejtë t’ia mohojë qytetarëve’ u shpreh Rama.

Ai propozoi ngritjen e një Bordi Kombëtar, që sipas kreut të qeverisë ka si qëllim vendosjen në dispozicion të çdo informacioni për qytetarët, përveç atyre që konsiderohen sekret Hetimor.

“… Ka një mendësi dominante në administratë që dhënia e informacionit është mendësi e panevojshme, është sa dramatike dhe qesharake, por marrja e dokumenteve dhe nxjerrja në publik paraqitet si një zbulim…”, shtoi ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë