Politike

Mblidhet ‘Dezinformimi’ / PD mungon. Çuçi: S’e kemi luftë partiake, Braçe: S’do përndjekim individë  

Komisioni i Posaçëm parlamentar për Dizinformimin, u mblodh të mërkurën për herë të parë në mungesë të opozitës. Kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi, theksoi se ngritja e këtij komisioni s'ka të bëjë me luftën partiake.

"Vërtet është nga ato komisionet që nuk duhet parë si pjesë e luftës partiake mes mazhorancës dhe opozitës. Më vjen keq që kolegët e opozitës ende sot nuk kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur... Ajo që na ul sot në këtë komision është shqetësimi që ka bota perëndimore demokratike se ky fenomen mund të cenojë vlerat tona demokratike", tha Çuçi.

Në vijim të fjalës së tij, Çuçi tha se dizinformimi sot është një shqetësim që lidhet më së shumti edhe me zhvillimin e teknologjisë e që bota demokratike duhet t'i përgjigjet siç duhet me vendosjen e rregullave.

"Besoj se ky komision është gjeja me e domosdoshme që parlamenti shqiptar duhet të bëjë një orë e më pare. S'duhet të ketë asnjë paranoje që ky komision do të ngrenë mazhorancën kundër lirisë së medias. Ne jemi këtu për të parë se si Shqipëria do t’i përgjigjet këtij shqetësimi.

A kemi rregullat e duhura që ndalojnë dizinformimin dhe sigurisht për të pare ambientin që mund të tentojnë të depërtojnë vende jo mike të Shqipërisë, të cilët e kanë rritur vëmendjen ndaj Shqipërisë për qëndrimet tona pro perëndimore”, deklaroi Çuçi duke iu bërë thirrje kolegeve të opozitës të marrin pjesë dhe të konsiderojnë rëndësinë e këtij komisioni. Siç tha ai, kjo është më e rëndësishme se për të siguruar një vend në listën e kandidateve për deputetë.

“Ky komision nuk ka për qëllim të përndjekë as individë as organizata, por do të njohë, të mbledhë të dhëna dhe analizojë gjetje dhe të organizojë një masë kritike shoqërore të institucioneve publike dhe private për t’iu përgjigjur në mënyrë të tillë, të organizuar, një lufte të organizuar të shteteve jo mike dhe qëllime të tyre malinje. Ky komision është ngritur me vendim të Kuvendit dhe përbërja e tij është miratuar po me vendim të Kuvendit.

Kuorumi është i plotësuar për ditën e sotme, me anëtarët e përhershëm dhe zëvendësues, kam nderin që në mbledhjen e këtij komisioni është dhe Lindita Nikolla. Përtej vendimeve formale të Kuvendit, ngritja e këtij komisioni mbështet në dokumente të rëndësishme.

Dua të theksoj se ky komision nuk ka për qëllim të përndjekë as individë as organizata, por do të njohë, të mbledhë të dhëna dhe analizojë gjetje dhe të organizojë një masë kritikë shoqërore të institucioneve publike dhe private për t’iu përgjigjur në mënyrë të tillë, të organizuar, një lufte të organizuar të shteteve jo mike dhe qëllime të tyre malinje, të shtuara dhe për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndaj Shqipërisë si një faktor kyç pro perëndimor stabiliteti në Evropën juglindore anëtare e NATO-së dhe në negociata me BE”, sqaroi kryetari i komisionit te posaçëm parlamentar, Erion Braçe.

Në mbledhjen e parë, Komisioni i Posaçëm Parlamentar kishte si qellim njohjen me aktet që rregullojnë ngritjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm, si dhe miratimi i projektvendimeve për ftesë publike për bashkëpunim dhe ekspertizë nga SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe vende të tjera të interesuara, si dhe ekspertë vendas dhe/ose të SHBA-së, BE-së, NATO-s, me përvojë në fushat përkatëse, si dhe ftesë publike drejtuar organizatave të shoqërisë civile, instituteve, botës akademike vendase apo të huaj, për bashkëpunim dhe ekspertizë sipas qëllimit, objektit dhe fushëveprimtarisë së Komisionit.Ftesa i është drejtuar edhe organeve të medias audiovizive, medias së shkruar dhe asaj elektronike, për të kontribuar në përmbushje të qëllimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë