Gazeta Si - Një grup që merrej me shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve të forta narkotike është goditur nga antidroga e Tiranës.
Agjentët e Antidrogës kishin informacion për këtë aktivitet kriminal dhe prej muajsh kishte nisur përgjimet dhe ndjekjen e këtyre personave.
Mësohet se efektivë të infiltruar, të cilët kanë kryer blerje të stimuluar, kanë marrë pjesë në operacion. Në total policia ka sekuestruar 1.1 kg kokainë, e cila transportohej nga Fieri.
Pas porosisë, autorët e sollën lëndën narkotike me një mjet tip “Fuoristradë KIA”, ku takimin e kishin lënë te një karburant në rrugën “Myslim Shyri”.
Mësohet se në pranga kanë rënë 3 persona, Xhelo Ajasllari, Paolo Shyti dhe Ervin Rakipi. Po kryhen hetime për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë.
“Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Collaboration 3”. Sekuestrohen 1 kg e 130 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Vihen në pranga 3 shtetas. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 3”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. Sh., 35 vjeç, Xh. A., 23 vjeç, dhe E. R., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit P. Sh., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Gjatë ndërhyrjes, shtetasi E. R. nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë. Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thotë Policia e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.