Politike

PD mbledh Këshillin Kombëtar të premten:  Të bashkojmë demokratët nga ndasitë, duhet qeveri teknike

Kryesia e PD-së e drejtuar nga Sali Berisha i kërkon Këshillit Kombëtar (që do të mbahet të premten) të porosisin degët e kësaj partie që të përgatisin terrenin për të bashkuar të gjithë demokratët dhe opozitarët, duke lënë mënjanë çdo ndasi, mosdakordësim apo dallim.

Në projekt-rezolutën e miratuar në kryesi vihet theksi te krijimi i kushteve për qeveri teknike, si të vetmen rrugë që mund të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Shqipëria është duke kaluar një situatë shumë të rëndë ekonomike, shoqërore dhe politike, më të vështirën që pas përmbysjes së regjimit totalitar në dhjetor të vitit 1990. Narkoshteti tashmë i instaluar në Shqipëri, ka asfiksuar thuajse çdo hapësirë të demokracisë politike dhe shoqërore, të lirisë së pronës dhe sipërmarrjes. Shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin;

Krimi i organizuar sot kontrollon efektivisht qeverinë dhe politikbërjen, ekzekutivin dhe legjislativin, nëpërmjet fenomenit të kapjes së shtetit. Narkoeurot, paratë e krimit të organizuar pastrohen haptazi nën kujdesin e qeverisë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit. Në këmbim, më pas me to blihen vota për të mbajtur narkoshtetin në pushtet. Ky rreth vicioz ka pamundësuar rotacionin normal politik, në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thuhet ndër të tjera në projekt-rezolutë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë