Nga Gazeta Si - Ylli Manjani ka qenë një nga njerëzit e afërt politike të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, por marrëdhënia e tij me LSI-në u mbyll, kur ai u shkarkua si Ministër i Drejtësisë nga kryeministri Rama në shkurt 2017. Në atë kohë, ai mbajti qëndrime të ndryshme për kanabizimin dhe mosarrestimin e trafikantit të drogës Klement Balili, por nuk u përkrah nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, njëkohësish Kryetar i Kuvendit, i cili i sugjeroi publikisht të ndjekë rrugën institucionale.
Sot, Ylli Manjani, e sheh ish LSI-në në momente mbijetese politike, jo për shkak të Monika Kryemadhit, por për shkak të Ilir Metës. “PL e ka më të thellë problemin. Në politikë mbijeton me ide, veprim dhe marrje përgjegjësish. Nëse këto mungojnë, nuk i plotëson dot duke u ndarë me gruan” tha Ylli Manjani në një intervistë për Gazeta Si, duke analizuar me kujdes edhe (mos)arsyet e divorcit politik dhe familjar mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. “Nuk e di nëse e kanë taktikë apo konsum martesor, por di që ata të dy të ndarë do ta kenë shumë të vështirë “ thotë, mes të tjerash, Ylli Manjani.
Gazeta Si: Besoni se divorci politik dhe familjar i Ilir Metës nga Monika Kryemadhi është i vërtetë dhe jo një strategji politike për shkak të hetimeve të SPAK ndaj dy kryefamiljarëve?
Ylli Manjani: Në fakt keni të drejtë që e përkufizoni si divorc politiko-familjar. Monika dhe Iliri janë njohur në politikë që nga koha e FRESSH dhe lidhja e tyre ka qenë gjithmonë e pandarë me politikën. E gjithë familja e tyre ka qenë gjithnjë aktive në politikë. Janë familja, ndoshta e vetme shqiptare, që konsumojnë politikë. Edhe dashuritë, edhe zënkat janë të motivuara nga politika. Më kanë krijuar gjithnjë idenë se edhe hemoglobinën e kanë qelizë politike. Nuk çuditem aspak që edhe debatin e sotëm, që Iliri e quan divorc, ta kenë të lidhur ekskluzivisht me politikën. Janë që të dy egoistë në politikë dhe vështirë të mendosh se i hapin rrugë njëri-tjetrit. Mesa duket “enogh is enough” dhe dikush, në këtë rast Iliri, kërkon autonomi politike në idetë e veta. Vetëm se ata kanë një jetë bashkë. Kanë qenë bashkëshortë dhe partnerë. Kanë plotësuar njëri-tjetrin dhe bindja ime është se ata kanë qenë të suksesshëm sa herë kanë plotësuar njëri-tjetrin. Sa herë kanë kundërshtuar njëri-tjetrin, kanë gabuar dhe me pasoja. Ndaj, edhe ky vendim i Ilirit për të ndarë rrugën e tij nga Monika ka për të qenë rruga më e vështirë e jetës së tij. Monika është njeriu që e njeh atë dhe e di se si bëhet i efektshëm. Nga ana tjetër, Monika pa Ilirin është po aq e paorientuar. Nuk e di nëse e kanë taktikë apo konsum martesor, por di që ata të dy të ndarë do ta kenë shumë të vështirë.
Gazeta Si: Sa qëndron si argument bindës për divorc pikëpamja e ndryshme që Meta dhe Kryemadhi kanë për SPAK-un apo për kauzat siç thotë Meta? Ai e sheh SPAK-un si vegël të Ramës, ndërsa Monika i beson institucionit.
Ylli Manjani: Siç ju thashë, nuk e di nëse divorci është taktik apo konsum martesor. Kam prirje të besoj se është një përpjekje për autonomi nga ndikimi i njëri-tjetrit. Mua më ngjan më shumë me një ndarje egosh sesa një taktikë. Ndoshta e kam gabim, po kështu më duket. Sa i takon marrëdhënieve me SPAK, gjykoj se nëse do të ketë reperkursione ligjore ndaj njërit, edhe tjetri nuk del pa gjë. Dmth është ligjërisht muhabet kot të bësh divorc për t’i shpëtuar përgjegjësisë apo për të ruajtur pasurinë. Sigurisht, komunikimi i varfër dhe shumë i varfër në publik që bën Iliri për këtë çështje, shton më shumë konspiracionin sesa e shuan atë. Njerëzit në fakt presin që, ku anunçohet një divorc, të dëgjojnë për histori personale që lidhen me konsumin martesor ose lidhje paralele. Askush nuk ka prirje të besojë se "po ndaj gruan se Ajo dogji mandatet"!!! Dhe, në fakt, kjo është tezë e varfër dhe absurde. Po aq absurde është teoria që "unë s’di gjë, se ajo i ka bërë të gjitha". Edhe sikur të jetë kështu, një burrë pritet më mirë në publik, kur merr përgjegjësi dhe jo kur shet përgjegjësi te gruaja. Aq më shumë absurde është teza që Monika do SPAK dhe Ai, dmth Iliri, jo. E ç'a pastaj?! Për këtë duhet zgjidhur martesa?! Ndaj them që komunikimi që ka zgjedhur Iliri për këtë çështje është i varfër dhe ndoshta i pamenduar.
Gazeta Si: Nga afërsia dhe bashkëpunimi që keni pasur me të dy, por edhe për shkak të profesionit, keni të dhëna ju se Monika Kryemadhi mund të jetë shndërruar në një bashkëpunëtore e SPAK-ut kundër Ilir Metës, qoftë edhe nën presion, siç pretendon ai? Nëse jo, siç e njihni ju, mund ta bëjë këtë Monika?
Ylli Manjani: Shikoni, më shumë sesa nga Monika, Iliri duhet të ndahej nga gabimet e vetes. Ai është bashkëautor i reformës në drejtësi. Ju kujtoj se ishte në krye të Parlamentit, kur imponoi, jo pa mund, konsensusin e madh. Ashtu siç lejoi bërjen e ligjeve pa praninë e opozitës.
Ilir Meta nuk mund të fshehë përgjegjësinë e tij politike për katastrofën që kanë krijuar gropat ligjore të reformës, as duke sharë Arta Markun, as Dvoranin. Nuk mbrohet as me batutën e vjedhur të "Ramaformës" e as duke sharë me libër shtëpie Altin Dumanin. Ai ka po aq përgjegjësi politike për pasojat e kësaj reforma sa ç’ka Rama. Dhe për këtë përgjegjësi nuk i ka asnjë faj as Arta, as Ardiani e as Altini. Ai ishte njeriu që mund të ndikonte që të mos lejohej kjo katrahurë që erdhi. Dhe këtë përgjegjësi nuk e shet dot tek askush. As te "dashuria" e Monikës për SPAK...! Ndaj nëse ka konseguenca sot, ai duhet, minimalisht, të bëjë atë që u ka thënë të tjerëve: të përballet me drejtësinë burrnisht dhe jo të shesë përgjegjësinë tek gruaja. Kjo është drejtësia që ka ndërtuar vetë me kontribut politik. Ashtu siç ky është narkoshteti, president i të cilit shërbeu. Meta nuk bëri asnjë përpjekje politike për të ndaluar katrahurën, ndaj dhe jemi këtu ku jemi. Dhe këtë përgjegjësi të tijën nuk ka përse e kërkon as tek djegia e mandateve, e cila ishte lëvizje opozitare në fund të fundit, ndonëse e menaxhuar keq.
Gazeta Si: Shihni tradhti ndaj Ilir Metës brenda Partisë së Lirisë apo përgjimet e zyrave për të cilat Meta ka bërë edhe akuzë janë më shumë paranojë dhe motiv për shkëputje nga Monika Kryemadhi?
Ylli Manjani: Historitë me përgjime, spiunllëqe, kamera e video janë, për fat të keq, pjesë e paranojës të cilat nuk dua t’i komentoj, sepse emocionalisht jam në miks. Nuk e di dmth duhet të qesh apo të ulëras. Mua më vjen keq njerëzisht për katandisjen publike që Iliri dhe Monika i bëjnë vetes së tyre. Po njerëzisht, unë ndaj vetëm mbështetje për ta. Nuk kemi asnjë armiqësi, për aq sa jemi njohur, të paktën jo nga ana ime. Kemi bajagi kohë që nuk komunikojmë, por besoj për çështje idesh politike, të cilat unë nuk kam përtuar ti bëj publike. Ata zgjodhën rrugën e moskomunikimit me mua. Por në planin personal nuk i kam uruar e as i uroj të keqen asnjërit prej tyre. Por analiza politike është krejt tjetër gjë. Ne analizojmë atë që shohim dhe se sa kjo i intereson publikut. Në fund të ditës janë ata që po na ofrojnë një divorc martesor për arsye politike. Sigurisht që kjo kërcet.
Gazeta Si: Sa mundësi ka që SPAK-u ta përdorë këtë situatë sipas motos “përça dhe sundo”, duke përdorur ndoshta inatet politike dhe njerëzore të çiftit për të nxjerrë diçka prej tyre?
Ylli Manjani: Nuk besoj se SPAK ka përdorur ndonjë taktikë përçarëse ndërmjet çiftit presidencial. Ç'nevojë ka xhanëm? E përsëris, në daç të ndahen, në daç jo, hetimit ata nuk i shpëtojnë dot. Unë u uroj të provojnë pafajësinë e tyre. Se, pas reformës, janë të hetuarit që duhet të provojnë pafajësinë....
Gazeta Si: E ndikon elektoratin e PL ky divorc dhe çfarë ndikimi elektoral mund të ketë për opozitën kjo telenovelë politike përpara zgjedhjeve?
Ylli Manjani: Mesa kuptoj, Partia e Lirisëë apo ish- LSI, në mënyrë të natyrshme, për si erdhën punët, sot është në betejë për ekzistencë. Në këtë pikë, nuk kanë ardhur për shkak të djegies së mandateve, por për shkak të mosprodhimit politik dhe, veçanërisht, të mosmarrjes së përgjegjësive. Dmth LSi nuk u nda as nga kanabizimi, kur duhej ta bënte, as nga keqreforma në drejtësi. Meta nuk ndenji me partinë e tij dhe të ndante përgjegjësitë politike, por u vetëkatapultua si president i të njëjtit narkoshtet që i thotë sot. Këto kakofoni dhe boshllëqe politike të ndëshkojnë elektoralisht derisa vjen tek pika e mbijetesës. Pra, PL e ka më të thellë problemin. Në politikë mbijeton me ide, veprim dhe marrje përgjegjësish. Nëse këto mungojnë, nuk i plotëson dot duke u ndarë me gruan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.