Njerez

Më keq se Iraku, Kenia, Ruanda / Varfëria ushqimore e fëmijëve shqiptarë, më e lartë se në vendet e luftës dhe Afrikës

Nga Gazeta 'SI' - 18% e fëmijëve më të vegjël se 5 vjeç në Shqipëri vuajnë nga varfëria ushqimore.

Raporti i UNICEF, thotë se 29% e fëmijëve në tërësi janë në varfëri të moderuar, duke u listuar kështu vendi i dytë pas Taxhikistanit në Europë dhe Azi.

Në një renditje botërore, Shqipëria rezulton më keq se Iraku, Kenia, Ruanda.

UNICEF vlerëson se varfëria ushqimore dëmton të gjithë fëmijët, por është veçanërisht e dëmshme në fëmijërinë e hershme, kur ushqimi i pamjaftueshëm mund të shkaktojë dëme  si në rritjen fizike dhe në aftësitë e zhvillimit mendor. Pasojat mund të zgjasin gjatë gjithë jetës.

Fëmijët e privuar nga ushqimi i mirë nën moshën 5 vjeç mësojnë më pak në shkollë dhe kanë kapacitete më të ulëta të produktivitetit në moshën madhore, duke i futur ata dhe familjet e tyre në një cikël varfërie të vazhdueshme.

UNICEF sqaroi se baza e të dhënave për ushqyerjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël u krijua nga sondazhet e kryera në 137 vende dhe territore dhe përfaqësojnë më shumë se 90 për qind të gjithë fëmijëve në rang global.

Renditjen më të mirë në vendet në zhvillim dhe të varfra e kishin Bjellorusia dhe Serbia, të cilat kishin vetëm 1 dhe 2% secila të fëmijëve në privim të rëndë ushqimor.

Varfëria ushqimore e fëmijëve matet duke përdorur dietën e UNICEF-it dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Për të përmbushur diversitetin minimal të dietës për rritje dhe zhvillim të shëndetshëm, fëmijët duhet të konsumojnë pesë nga tetë grupet e përcaktuara ushqimore.

Mes fëmijëve që jetojnë në varfëri të rëndë ushqimore, katër në pesë fëmije ushqehen vetëm me qumësht gjiri dhe/ose produkte qumështi dhe/ose një lëndë bazë niseshteje, si orizi, misri ose gruri.

Më pak se 10% ushqehen me fruta dhe perime dhe më pak se 5% ushqehen me vezë, ose mish, shpendë dhe peshku. Ndërkohë, ushqimet dhe pijet jo të shëndetshme konsumohen në përqindje alarmante të  fëmijëve që jetojnë në varfërinë e rëndë të ushqimore.

Analiza e UNICEF identifikon si shtytës kryesor të sëmundjeve të rënda varfërinë ushqimore të fëmijëve. Varfëria e rëndë ushqimore e fëmijëve shkaktohet nga mjediset e varfra dhe praktikat e këqija të të ushqyerit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë