Art dhe Kulture

Pësoi hemorragji celebrale, ndërron jetë poeti i njohur shqiptar Agim Doçi

Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare poeti i njohur shqiptar, Agim Doçi, i cili pësoi hemorragji celebrale të shtunën e 22 Qershorit.

Agim Doçi qëndronte në reanimacion prej ditës së shtunës pranë Neurologjisë në Tiranë. Lajmi për ndarjen nga jeta të poetit të mirënjohur u konfirmuar nga familjarët e tij.

Ceremonia e varrimit do të mbahet ditën e nesërme në Tiranë, ndërsa homazhet do të zhvillohet në orën 11:00.

Agim Doçi ka lindur më 9 maj 1948. Është autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion.

Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës. Mund të përmenden këngë shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajsia”.

Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.

Ai u arsimua në Shkodër deri në gjimnaz dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.

Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj. Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë.

Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabrikën e letër-kartonit. Ai ishte i përfshirë në lëvizjet e dhjetorit të vitit 1990.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë