Politike

Xhafaj mbledh Komisionin Antikorrupsion, mungon opozita. Tabaku: Dublon Këshillin Kombëtar të Integrimit

Komisioni i Posaçëm Parlamentar Antikorrupsion ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ndërkohë që sërish opozita nuk ka marrë pjesë në mbledhje.

Në fillim të mbledhjes, kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj u shpreh i keqardhur që ende opozita nuk po bëhet pjesë e aktivitetit normal të komisionit.

“Është me rëndësi që opozita të marrë pjesë në Komision. Shpresoj që opozita të reflektojë dhe të marrë pjesë. Procesi është gjithëpërfshirës, transparent dhe profesional me produkte të qarta e të dobishme”, u shpreh Xhafaj.

Ai theksoi se janë ftuar dhe aktorë të tretë të marrin pjesë në këtë komision.

“Iu bëjmë thirrje ekspertëve shqiptarë kudo që ata jetojnë, që të ndihmojnë me ekspertizë. E kemi të nevojshme që të hapim një faqe për të informuar publikun në lidhje me mbarëvajtjen e Komisionit për Antikorrupsionin”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e sotme, anëtarët do të informohen mbi zbatimin e vendimeve të mbledhjes së parë të komisionit.

Po ashtu, në rend të ditës është vendimmarrja për procesin përgatitor për organizimin dhe funksionimin e komisionit dhe projektaxhendën e tij.

Në fokus të mbledhjes janë po ashtu kërkesa ndaj institucioneve shtetërore për të propozuar emrat e përfaqësuesve apo specialistëve me të cilët do të përfaqësohen për të bashkëpunuar dhe kontribuar me ekspertizën e tyre pranë nëngrupit të punës për Antikorrupsionin pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar.

Po ashtu, komisioni do të miratojë strukturën e stafit teknik të Komisionit Ad-Hoc, si dhe i drejton një ftesë publike për bashkëpunim organizatave ndërkombëtare të ekspertizës që veprojnë në vendin tonë dhe vende të tjera si dhe për individ, ekspertë me përvojë në këto fusha, vendas dhe ndërkombëtarë.

Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi ndaj mbledhjes së sotme të Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” ku opozita ka munguar sërish.

Kryetarja e KKIE dhe Komisionit të Çështjeve Europiane shkroi në rrjetet socialese ky komision është një dublim i Këshillit Kombëtar të Integrimit pasi jo vetëm ka përvetësuar gjithë stafin e KKIE por edhe funksionet dhe fuqinë e këtij Këshilli.

Por, sipas saj, problemi real i këtij komisioni është se ai kërkon të vendosë nën tutelë ekspertët e institucioneve të pavarura që do t’i vendosë nën hyqmin e kryetarit të komisionit Xhafaj.

“Procesi i integrimit dhe lufta kundër korrupsionit nuk kanë nevojë as për propagandë dhe as për fjalë të mëdha. Por për angazhim që fatkeqësisht ka munguar e që mund të ishin bërë çdo ditë për 11 vite dhe duhen bërë çdo ditë që kalon”, shkroi Tabaku vë në dukje se ngritja e grupeve të përbashkëta të punës me institucione që janë e duhet të jenë të pavarura, nën varësinë e këtij komisioni, që është më shumë njëpartiak, cenon pavarësinë e institucioneve të pavarura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë