Politike

Historia e mbi 3 dekadave Meta-Kryemadhi/ Nga njohja që 17 vjeç kur Meta për të ishte maskilist e deri te konflikti për hetimet e SPAK dhe divorci…

Nga Gazeta Si - Shoqëria dhe miqësia e Ilir Metës me aktorin e humorit Bes Kallaku ndoshta është më jetëgjata që ish-presidenti ka edhe me ndonjë politikan. Për vite me radhë ata shfaqeshin kudo bashkë. Edhe kur Meta ishte kreu i shtetit apo edhe kryeparlamentar.

Ata ishin nëpër festat e njëri-tjetrit me bashkëshortet në krah. Madje çifti Meta i ka bërë edhe ahengun në dasmë vite më parë Besit dhe Xhensilës.

Ish Presidenti nuk ka mbetur pa e vizituar edhe Ijen, gjyshen e Besit në Bubq.

Meta me Ijen, gjyshen e Besit në Bubq

Edhe pushimet shpesh herë i kanë bërë bashkë.

Ata të dy edhe ditët e fundit nuk janë ndarë. Por ndryshe nga e shkuara, këto kohë kanë qenë vetëm dhe pa bashkëshortet. Bes Kallaku ka ca që është ndarë me Xhensila Myrtezajn.

Ilir Meta ishte i ftohur me Monika Kryemadhin dhe në një krisje prej muajsh.

Por në udhëtimin e ditëve të fundit në Lumin e Shalës, Meta kishte statusin e gastorit të humorit. Edhe lajmin e divorcit në gjykatë me Monika Kryemadhin e dha vetëm mbrëmjen e së enjtes, publikisht ai vetë, në një intervistë televizive pasi u kthye nga pushimet me aktorin në veri të vendit.

***

Ilir Meta kishte muaj që ishte divorcuar politikisht me bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi.

Çifti më i rëndësishëm i politikës shqiptare në këto 34 vite, ka bërë beteja pa fund për pushtet që në të shumtën e rasteve ia ka dalë.

Ato i kanë nisur që kur kanë qenë shumë të rinj në FRESSH, organizatën rinore socialiste (atje ku edhe u dashuruan, u fejuan dhe celebruan martesën). Pastaj në Partinë Socialiste e deri në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe me ambicie që nuk mbaruan.

Luftë brenda llojit, luftë më kundërshtarët, pajtim dhe pakt me kundërshtarët, rikthim te partnerët e dikurshëm politikë. Por me një ndryshim.

Ilir Meta ishte ai që i provoi si askush tjetër të gjitha postet më të larta të pushtetit në Shqipëri. Zv/Kryeministër (me Majkon, Nanon, Berishën e Ramën), Ministër i Jashtëm, Ministër i Ekonomisë, Kryeministër, Kryetar Parlamenti dhe President.

Ndërsa Monika Kryemadhi është ulur vetëm në karrigen e deputetes dhe nuk ka provuar asnjëherë atë të pushtetit ekzekutiv. Ajo është tërhequr me vetëdije, ndërsa betejat i ka zhvilluar më shumë në prapavijë. Edhe në emër të Metës.

Por kohët e fundit ata të dy po hetohen nga SPAK.

Nga çështja e lobimit në SHBA, shpenzimet e operacioneve estetike, pasuritë apo edhe Cez Dia.

Kryemadhi dhe Meta janë marrë në pyetje disa herë nga SPAK. Madje asaj i janë sekuestruar telefonat në shtëpinë e nënës, të cilën e kanë pyetur edhe në prokurorinë e Posaçme. Por ndërsa Meta ka shfrenuar gjuhën dhe fjalorin ndaj Altin Dumanit dhe SPAK, Kryemadhi nuk i sulmon prokurorët e posaçëm. Ajo sulmon Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

 “Të gjithë kemi ndasitë dhe qëndrimet tona. Vazhdoj të qëndroj që lufta ime është betejë politike. Prokurorët do të bëjnë punën e tyre. Ndahem me Ilir Metën për sulmet ndaj SPAK” tha ajo të mërkurën e shkuar pasi doli nga SPAK.

Një ditë pas saj ishte Ilir Meta ai që shkoi në SPAK dhe shtoi sërish tonet ndaj Dumanit, të cilin e quan Dum Duman.

 “Unë u pyeta kot më kot për gjëra që nuk kanë lidhje me mua por me veprimet e të tjerë, të miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të SPAK-ut” tha ai.

Meta-Kryemadhi, kur nuk kishte plasur sherri mes tyre

Kjo ndarje për SPAK-un sipas Metës ka qenë edhe shkaku i divorcit edhe në Gjykatë.

Mbrëmjen e 20 qershorit ai tha në Syri TV se “Kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”.

Ai vazhdon të mos ia falë publikisht sa herë pyetet për djegien e mandateve të deputetëve të LSI nga marrëveshja e asaj kohe me Lulzim Bashën.  

 “E përmenda çështjen e mandateve se ajo ka qenë një krisje shumë e madhe mes nesh. Nuk ka qenë lojë dhe nuk është lojë. Çështja e mandateve është një krim për popullin shqiptar” tha Meta edhe mbrëmjen e djeshme.

***

Muaj më parë parë Ilir Meta spastroi nga partia njerëzit e Monika Kryemadhit dhe vetë këtë të fundit, që i besoi drejtimin e LSI gjatë viteve të presidencës. Lëshoi akuza pa fund për Elona Gurin dhe Endrit Braimllarin, dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryemadhit.

“Kam një pyetje për Elonën (Guri) tonë të dashur, kam një pyetje për Endritin (Brahimllari) që e kishim lënë me organizimin e partisë. Si ka mundësi që Partia e Lirisë është target e krimit të organizuar dhe është lënë pa roje nate. Lëri mo ato justifikimet e Monës. Duke ndenjur me Lulin ajo ka shtuar justifikimet. Monën e kemi xhan, por më shumë duam nënë Selvinë” deklaroi Meta në ditët e spastrimit të partisë.

Nxori më pas kartën e luftës ndaj nepotizmit.

Ata u përplasën edhe në Konventën e Partisë kur Monika Kryemadhi iu shfaq me bluzën “Ja ku jam”.

Takimi Meta-Kryemadhi në konventën e PL

“Mendimet e mia do të jenë të drejtpërdrejta. Unë kam këndvështrim ndryshe sa i përket strukturimit të partisë. Nuk po them që kur kam drejtuar LSI-në kam shkëlqyer edhe të drejtën për të shprehur mendimin tim nuk mund të ma heqë dot. Nuk ka konflikt por një sjellje që ka marrë nga këshilltarët e gabuar”,  deklaroi Kryemadhi atë kohë.

***

Meta u zgjodh president i Partisë së Lirisë muaj më parë dhe prej kohësh nuk jeton në shtëpinë e përbashkët te Kodra e Diellit me Kryemadhin. Ai po qëndron në një hotel te Liqeni i Thatë. Ndërkohë në padinë për divorc, Meta ka vënë adresën e Partisë së Lirisë.

Ka ‘marrë’ malet, ngre shtanga e stërvitet në palestër, përkëdhel dhitë dhe zhytet në lumenj, flet me një fjalor aspak normal ndaj SPAK-ut dhe Altin Dumanit.

E në këto muaj aspak të lehtë për Metën, nisur nga shqetësimet me drejtësinë ku publikisht ka thënë se edhe nga Burgu do të luftojë Dumanin, Kryemadhi ka pranuar krisjen mes tyre, por nuk ka lënë të kuptohet se historia e tyre do të përfundojë me divorc.  

Meta duke dalë nga SPAK javën e shkuar

“Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti se sigurisht që brenda familjes tonë, familjes së vogël, kanë ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë që duke shkatërruar pozicionimet apo lidhjet familjare do të kenë karrierë politike. Mendoj që nuk është hera e parë që unë dhe Ilir Meta kemi këto konflikte” deklaroi Kryemadhi në një intervistë dy javë më parë.

Kryemadhi duke dalë nga SPAK

Sherri publik Meta-Kryemadhi është analizuar gjatë në shumë studio televizive. Të shumtë janë ata që kanë thënë se është një skenar i përgatitur mes tyre dhe asgjë nuk është reale. Madje disa analistë kanë shkuar deri atje sa kanë thënë se po aktrojnë pasi drejtësia ka trokitur në derën e tyre dhe se është lojë që të shpëtojë njëri nga të dy.

Por a është edhe ky divorc martestor, përveç atij politik si pjesë e skenarit? Kjo mbetet për t’u parë në vijim....

***

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi u njohën në Forumin Rinor të Partisë Socialiste në vitet ’90.

Pas 5 vitesh fejese, ata e celebruan martesën në vitin 1998 kur Meta ishte Zv/Kryeministër. Dëshmitar ishte Erjon Braçe, në atë kohë Kryeredaktor i Zërit të Popullit, Mustafa Muçi, këshilltar i Metës dhe ambasadori zviceran në Tiranë.

Viti 1998, Meta-Kryemadhi celebruan martesën. Dëshmimtarët Braçe, Muçi dhe ambasadori zviceran. Foto e ARMANDO BABANIT

“Unë kam qenë pak e turpshme, por pas fejese jo më. Në fillim nuk e kam pëlqyer atë, se është pak maskilist. Nuk është xhentil, e them këtë në kontekstin e një vajze që ëndërron princin e kaltër. Jemi njohur në nëntor të vitit 1993, kam qenë 17 vjeç, një vit më pas jemi lidhur”, ka treguar Kryemadhi në një intervistë kohë më parë për jetën e saj private.

Viti 1998, Meta-Kryemadhi celebruan martesën

Nga martesa çifti Meta-Kryemadhi kanë 3 fëmijë, Borën, Erën dhe Besarin.

Milituan krah njëri-tjetrit për më shumë se 3 dekada si shokë, të dashuruar, të fejuar e më pas të martuar. Në në fillim të viteve ’90 në FRESSH. Më pas në forumet e Partisë Socialiste dhe qeverinë e majtë deri në vitin 2004.

U ndanë nga PS dhe themeluan LSI-në me disa figura të socialistëve që iu  bashkuan. Por pjesa më e madhe e tyre e braktisën çiftin pasi u futën në qeverinë e Sali Berishës në vitin 2009.

Pas 4 vitesh qeverisje me Berishën, Meta bëri marrëveshjen me Ramën dhe Kryemadhi ishte ajo që shtroi drekën e ngjalave në Gjirin e Lalëzit.

U ndanë sërish me Ramën pasi ky i fundit e nisi drejt Presidencës për 5 vite.

Ish LSI-ja, sot është Partia e Lirisë, por aspak me fuqinë që kishte pasi u krijua.

Për shkatërrimin e partisë Ilir Meta e fajëson Monika Kryemadhin.

Kjo e fundit që pas konventës së pak muajve më parë nuk shfaqet më as në seli.

Zyrtarisht (se realisht janë të ndarë) nuk do të jenë më çift edhe në gjendjen civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë