Arsim

PISA / Nxënësit shqiptarë të fundit në botë për mendimin krijues. Ekspertët: Emergjencë kombëtare

Nga Gazeta Si- Vijnë sërish rezultate dramatike për Shqipërinë nga PISA, që ka rëndit nxënësit shqiptarë të fundit në mendimin krijues.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), publikoi raportin e vlerësimit për nxënësit nga 64 vende të botës. Për herë të parë, është matur aftësia e nxënësve 15-vjeçarë në "të menduarit krijues".

Siç shihet dhe në grafik, Shqipëria renditet në vendin e fundit me vetëm 13 pikë, ndërsa në vend të parë është Singapori me 41 pikë, ose 28 pikë diferencë nga vendi i fundit.

15-vjeçarët në Shqipëri kanë treguar rënien më të madhe në të menduarin krijues, 3 pikë më pak sesa pritej, sipas raportit zyrtar të PISA-s.

Shqipëria është renditur ndër vendet e fundit edhe në performancën në matematikë, lexim dhe shkencë. Nga 80 shtete, Shqipëria u rendit në vendin e 67 për vitin 2022.

Vendi ynë renditet i fundit pas Republikës Domenikane, Marokut, Uzbekistanit, etj, duke qëndruar në kategorinë e tretë të matjes, pra "nën mesataren e OECD". Niveli i parë dhe më i lartë është ai ku përfshihet Singapori, "mbi mesataren e OECD" dhe grupi i dytë është ai që nuk përbën diferencë, pra "Pa diferencë". Ky grup i ka qëndruar parashikimeve të bëra nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Gjithashtu, Shqipëria ka numrin më të madh të nxënësve që kanë kaluar më shumë se 30 sekonda pa plotësuar asgjë në testin e tyre.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) thekson se teksa shoqëria lëviz me ndryshimet komplekse mjedisore, sociale dhe ekonomike të shekullit të 21-të, është thelbësore që studentët të jenë novatorë dhe të përdorin të menduarit kritik dhe krijues.

Pas këtyre rezultateve ka reaguar edhe Irena Beqiraj, eksperte financiare e cila thotë se edhe pse “kemi fëmijët më të paaftë në botë për të menduarit kreativ, asgjë nuk do të na pengojë të vazhdojmë të numërojmë turistët dhe të këndojmë ‘oh sa mirë me ken Shqiptar, o hej’”.

Beqiraj shton se këtë rezultat duhet t’ua tregojnë shqiptarëve “kur ti ftojnë të kthehen e të arsimojnë fëmijët në Shqipërinë e rilindur”.

Edhe organizata Qëndresa Qytetare ka reaguar, duke kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të MAS.

“Mendimi krijues shkatërrohet kur institucionet arsimore drejtohen nga kopjacët. Nepotizmi, emërimet politike në sektorin e arsimit, korrupsioni në këmbim të notës dhe vendit të punës janë në themel të rrënimit të arsimit publik në vend”, thotë Qëndresa Qytetare në një reagim zyrtar.

Qëndresa Qytetare kërkon shkarkimin e elitës drejtuese të Ministrisë së Arsimit e cila ka përgjegjësitë kryesore për këtë degradim të nivelit të nxënësve.

Qëndresa Qytetare i kërkon klasës politike, shoqërisë civile dhe medias ta shohin arsimin si një Emergjencë Kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë