Politike

Këlliçi: Bashës do ia marrim vulën me përmbarim, audit për fondet që ka përdorur në emër të PD  

Anëtari i kryesisë së PD-së dhe koordinatori për Tiranën, Belind Këlliçi, deklaroi se pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit për PD, do të kërkohet me përmbarim marrja e vulës dhe ndalimi i përdorimit të saj nga ana e Lulzim Bashës.

Ish-kandidati për bashkinë e Tiranës nënvizoi gjithashtu se do të bëhet një audit për të parë se ku kanë shkuar paratë që buxheti i shtetit ka caktuar për Partinë Demokratike.

“Në momentin që do të zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit, me përmbarim do t’i hiqet vula, e drejta e përdorimit të logos dhe ndërkohë duhet të bëhet një audit i plotë i fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit për Partinë Demokratike. Do të duhet që të gjitha shpenzimet, faturat ku kanë shkuar dhe për çfarë kanë shkuar”, tha Këlliçi i ftuar në emisionin “Debat” në A2CNN.

Ish-kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi reagoi dhe në lidhje me përgjigjen që ktheu ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se nuk bashkëpunon me Non Grata-t, pasi Gjykata e Apelit riktheu vulën.

Sipas Këlliçit, në reagimin e selisë diplomatike nuk ka asgjë të re, teksa SHBA duhet të tregojë kujdes që të mos ulë në krah njerëz të korruptuar si Edi Rama dhe Erion Veliaj.

“Reagimi i SHBA nuk përbënte asnjë risi. Ritheksuan faktin se nuk mund të kenë bashkëpunim. Gjë që dihet. Por duhet që edhe ata të shtojnë kujdesin në raport me partneritetin që kanë me njërëz të inkriminuar dhe korruptuar siç janë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Sepse të ulësh në krah Edi Ramën dhe Erion Veliajn dhe të kërkosh moral nga pala tjetër kjo nuk qëndron. Për kryebashkiakun është faktuar roli i tij në dosjen 5 D”, deklaroi Këlliçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë