Politike

DASH: Koordinatori amerikan kundër korrupsionit global vjen në Shqipëri më 20 qershor

Nga Gazeta ‘Si’- Koordinatori Kundër Korrupsionit Global Richard Nephew do të vizitojë Malin e Zi, Lituaninë dhe Shqipërinë më 16-21 qershor.  

Sipas njoftimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, vizita e tij do të nënvizojë angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të adresuar sfidat e vazhdueshme të përbashkëta.

Koordinatori Nephew do të vizitojë fillimisht Podgoricën, për t’u takuar me zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.  

Më pas ai do të udhëtojë në Vilnius të Lituanisë në datat 18-19 qershor, ku do t’i bashkohet plenares hapëse të Konferencës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, si dhe sesioneve të tjera zyrtare.  Ai do të takohet gjithashtu me partnerë të ndryshëm qeveritarë dhe të shoqërisë civile në margjina.

Ndërsa më 20 qershor, Koordinatori Nephew do të vizitojë Tiranën ku do të takohet me përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile. Në Shqipëri ai do të diskutojë për punën që po bëhet në luftën kundër korrupsionit dhe fushat për bashkëpunim të mëtejshëm në përpjekjet kundër korrupsionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë