Nga Gazeta Si – Protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës ka mbaruar pas më shumë se 1 orë hedhje molotovi, vezësh dhe djegie gomash.
Që në nisje, protestuesit kanë hedhur molotov drejt derës së bashkisë e cila për disa minuta ka qenë e mbuluar nga zjarri dhe më pas tymi. Policia u ka kërkuar që të vetëpërmbahen ndërkohë që protestuesit kanë rreshtuar goma duke i djegur, njësoj siç ka ndodhur dy protestat e fundit.
Policia e Shtetit ka shoqëruar pesë qytetarë, pas incidenteve të krijuara. Sipas policisë, një prej tyre është arrestuar pasi ka hedhur molotov.










Në një moment ka pasur përplasje edhe mes deputetëve dhe policisë dhe Klevis Balliu është rrëzuar në tokë. Në këtë moment, dy deputetët e PD, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati i janë sulur policisë duke i ofenduar.
Kjo është protesta e 12 në radhë e opozitës dhe Aleancës për mbrojtjen e Teatrit ku kërkohet dorëheqja e kryetarit Erion Veliaj.
Belind Këlliçi, drejtues politik i PD-së për degën e Tiranës, në fjalën e tij i ka drejtuar një paralajmërim Policisë së Shtetit.
“Guxoni prekni qytetarët, jeta është shumë e gjatë. Do e keni personale me qytetarët dhe Partinë Demokratike. Për një të vërtetë shumë të madhe ju ftojmë të qëndroni, në Bashkinë e Tiranës është një hajdut, një fundërinë si Erion Veliaj, i cili do të marrë faturën që i takon”, tha Këlliçi.
Ai u shpreh se kushdo që ka prekur taksat e qytetarëve të Tiranës, që ka grabitur qytetarët e Tiranës, do të përballet me drejtësinë, do të shkojë atje ku e meriton.
Ndërkohë janë regjistruar edhe tensione. Ndërsa i është vënë flaka disa gomave, Policia ka përdorur fikëset e zjarrit për të shuar flakët. Ky veprim ka irrituar disa nga protestuesit që kanë reaguar duke tentuar të largojnë nga duart e policëve fikëset e zjarrit.
Policia ka spërkatur me ujë me presion disa nga protestuesit, ndërsa tymi ka krijuar jo pak probleme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



