Politike

Konstituohet Komisioni Antikorrupsion, bojkoton opozita. Xhafaj: Keqardhje që s’erdhi, ka rol të rëndësishëm

Nga Gazeta ‘Si’ – Është mbyllur mbledhja e parë e Komisionit Antikorrupsion e cila u zhvillua paraditen e kësaj të premteje.

Teksa opozita e bojkotoi, Fatmir Xhafa i cili është edhe drejtues i komisionit u bëri sërish thirrje për t’ju bashkuar.

Xhafaj theksoi se ky Komision synon të adresojë çështje me rëndësi jetike për qytetarët duke shtuar se shkojnë përtej interesit të partive politike.

Ai bëri një paralelizëm me krijimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi 10 vite më parë, duke shtuar se opozita mbajti të njëjtin qëndrim, por sipas tij, “reflektuan me vonesë dhe koha tregoi që kolegët tanë gabuan atëherë, kjo i kushtoi shumë politikisht dhe elektoralisht”.

“Për fat të keq, kjo situatë e sotme më sjell në kujtesë një situatë të ngjashme kur filloi veprimin në 2014 Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Opozita edhe atëherë në 2014. megjithëse e votoi ngritjen e Komisionit, nuk mori pjescn në mbledhjen e parë të konstituimit të atij komisioni dhe në disa mbledhje në vazhdim. Shpresoj që kjo histori të mos përsëritet dhe ta kemi midis nesh opozitën”, theksoi Xhafaj.

Ai deklaroi se ka bindjen që ky do të jetë një proces gjithëpërfshirës, në rrafshin politik, institucional e social.

“Roli i opozitës është tejet i rëndësishëm, pjesëmarrja e saj në këtë proces është me rëndësi për qëllimet që do të adresojë kjo reformë. Jam i keqardhur që opozita nuk iu është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrim të përbashkët për pjesëmarrje dhe angazhim në këtë Komision që buron nga Kushtetuta, pjesë e së cilës jemi bashkarisht.

Ky Komision synon të adresojë çështje me rëndësi jetike për qytetarët, për të ardhmen e vendimit, çështje që shkojnë përtej interesit të partive tona, pasi i shërbejnë forcimit dhe modernizimit të vendit, të ardhmes së vendit tonë.

Procesi do të duhet të ecë përpara, duhet zhvilluar një proces sa më gjithëpërfshirës, transparent, duke përfshirë të gjithë aktorët e mundshëm, të shoqërisë civile, botës akademike, grupeve të interesit.Kjo mbledhje është hapi i parë i natyrës formale përgatitore, si mbledhje edhe detyruese për ne”, deklaroi ai.

E pranishme në mbledhje, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla theksoi se ky  Komision nuk është për interesa partiake, ndërsa ministrja Elisa Spiropali i tha opozitës se përtej debateve të përditshme politike, ajo që mbetet është puna e mirë në interes të vendit.

“Komisioni nuk ka asnjë ngarkesë politike apo interes partiak”, tha Lindita Nikolla. 

“Debatet politike janë të përditshme, dialogu politik institucional me pushtete të tjera përbëjnë qasje të re dhe të nevojshme për një cikël të ri reformimi demokratizmi dhe forcimi të rolit të vendit, kjo është puna që mbetet”, tha Spiropali.

Komisioni ka 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Anëtarët e këtij komisioni janë kryetarët dhe zv.kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë