Nga Gazeta Si – Në 3 orë e gjysmë, komisioni hetimor i shëndetësisë prodhoi vetëm debate për procedurë dhe pretendime për konflikt interesi.
Në fillim ishin deputetët e opozitës që kanë kërkuar përjashtimin e Milva Ekonomit në dy seancat dëgjimore me KLSH pasi sipas tyre është në konflikt interesi.
Deputetja e PD, Ina Zhupa tha se Ekonomi përmendet në raportin e KLSH për kontratën financiare që është nënshkruar nga FSDKSH me kompaninë koncesionare “Saniservice” më datë 10.12.2015, kohë kur Ekonomi ishte drejtuesja e këtij institucioni.
“Një prej anëtarëve të këtij komisioni ka konflikt interesi në këtë seancë. Nuk duhet të marri pjesë. Milva Ekonomi (Ish-drejtoreshë e FSDKSH) përmendet në gjetjet e bëra nga KLSH që do të dëshmojë sot në komision”, tha Zhupa.
Deputetja socialiste hodhi poshtë akuzat, duke thënë se nuk është në konflikt interesi. Arsyeja e parë sipas Ekonomit, është se ka firmosur kontratë financiare me Saniservce, dhe se FSDKSH nuk harton kontrata dhe as nuk ka qenë pjesë e përzgjedhjes së përfituesve. Arsyeja e dytë sipas Ekonomit, është se nuk ka pasur mandat deputeti kur është nënshkruar kontrata.
“Më rezulton se s’kam konflikt interesi. Duke kuptuar si funksionon fondi vetë, është institucion financiar që zbaton kontrata, nuk harton. E kam bërë këtë detyrë duke mos qenë deputete. Konflikt interesi lind në momentin që ti merr mandat deputeti, e kam marrë në 2017. Për periudhën që flasim s’kam konflikt interesi”, tha Ekonomi.
Sipas këtij dokumenti, në vitin 2017, shërbimi është shtrirë edhe në 5 spitale të Tiranës, në Shkodër dhe në Elbasan.

Kërkesa e Zhupës që Ekonomi të mos ishte pjesë e dy mbledhjeve ku do dëgjohen audituesit e KLSH u rrëzua nga mazhoranca me 8 vota kundër.
“Ajo që kërkon Zhupa është jashtë autoritetit tonë si Komision. E ka vendosur seanca plenare se kush është në komision, nuk i përjashtojmë dot”, tha deputeti Plarent Ndreca.
“Lojë e paracaktuar që vonon punën e komisionit, që të komprometojë procesin dhe të intimidojë anëtarë të caktuar komision. Ne jemi të gjithë anëtarë të parive politike, a na fut kjo në konflikt interesi. Relativisht po. S’ka nevojë këtu për të votuar, secili do bëjë pyetjet dhe mbaron”, tha Petro Koçi.
Ekonomi tha se nuk ka firmosur kontrata, duke marrë përgjigje nga Vokshi e cila i tha se s’ka lidhje kjo, për aq kohë sa ka qenë drejtuese.
Debati ka agravuar më tej me deputetët Ndreca dhe Koçi që kanë ngritur zërin.
“E para mos ma ngri zërin se zonja Milva mbrohet vetë, jemi këtu për të hetuar, mos ndërhy, kur flas unë mos fol, unë dua të kuptoj se kush janë. Kujt i bërtisni juve, ngadalë uleni zërin, s’na bërtisni dot këtu, me etikë zoti Koçi, s’i drejtohesh dot kryetares kështu”, u përgjigj Vokshi.
Në rend të ditës ishin parashikuar dëshmitë e 5 audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por përplasja për pajisjen apo jo me certifikatë auditimi të të parit prej tyre, Bexhet Zeqiri, ashpërsoi debatin mes palëve. Opozita e akuzoi Plarent Ndrecën për intimidim dhe presion ndaj dëshmitarëve pasi e pyeti Zeqirin për profesionin dhe arsimin e tij, ndërsa debatet agravuan me tone të ashpra.
“Nuk je këtu për të gjykuar çfarë formimi profesional të auditorit të KLSH-së. E gjykon punëdhënësi, jo ti”, tha Vokshi pas pyetjeve të Ndrecës.
“Nuk gjykova por e pyeta për të krijuar bindjen time sa formim ka për të bërë kontrollin”, u përgjigj Ndreca.
“Hajde flasim për vjedhje. Mos intimido dëshmitarët”, tha Vokshi.
Socialistët vendosën të braktisin sallën, ndërsa Vokshi vijoi mbledhjen në praninë vetëm të opozitarëve në minorancë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



