Ka ndodhur

Kultivuan kanabis në fshatin Shëngjin, në pranga 4 persona. Në hetim kryeplaku dhe polici

Gazeta Si – Katër persona janë vënë arrestuar, pasi kishin kultivuar kanabis në fshatin Shëngjin, në Zall Bastar të Tiranës.

Ndërkohë, policia ka vënë në hetim kryeplakun e fshatit, 2 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe një efektiv policie, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Në pranga ka rënë, një grua 60 vjeçe, dhe dy djemtë e saj, 37 dhe 34 vjeç. Po ashtu është arrestuar një tjetër bashkëpunëtor i tyre, u cili mësohet se është mik i familjes, 30 vjeç. Të katërt akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

“U arrestuan në flagrancë shtetasit F. Gj., 60 vjeçe, I. Gj., 37 vjeç, J. Gj., 34 vjeç, dhe E. E., 30 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim; -nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Gj., 56 vjeç, kryetar i fshatit Shëngjin, Zall Bastar; R. K., 57 vjeç dhe R. L., 59 vjeç, punonjës (rojë) të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Gjithashtu, në bashkëpunim me AMP, ka filluar procedimi në gjendje të lirë për punonjësin e Policisë (SPZ) E. D., 38 vjeç”, – njofton policia.

Policia e Tiranës kishte marrë më herët informacion se gruaja dhe dy djemtë e saj, kishin kultivuar lëndë narkotike në Shëngjin të Tiranës. Për të dokumentuar dhe arrestuar autorët, policia kishte vendosur një kamera në afërsi të zonës.

Gruaja dhe dy djemtë kanë shkuar për të ujitur rrënjët e kanabis sativa, dhe kanë konstatuar kamerën, të cilën më pas e kanë shkulur.

Një pjesë e bimëve narkotike u asgjësua me anë të djegies, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë