Politike

Parti të re politike apo betejë ligjore? Basha takim 5 orësh me strukturat, por nuk vendos asgjë: Unë, i vetmi kundërshtar serioz i Ramës   

Pas më shumë se pesë orësh, fillimisht me kryesinë, më tej me kryetarët e degëve, Lulzim Basha ndryshoi vetëm çehren e fytyrës por jo qëndrimin që përcolli për mediat qysh prej orës 17.00.

Në fund të takimeve, Basha nuk dha asnjë vendim se cfarë do të bëjë, një parti të re politike apo betejë ligjore, duke i dhënë kohë vetes kur tha se do të vijojë takimet në bazë pastaj do të vendosë. “Ajo që kemi vendosur është që mos lëmë askënd pa marrë me vete në këtë vendimmarrje. Kjo betejë nuk ka qenë kurrë për vulë e për karrige. Ne do të gjejmë rrugën më të mirë. Duket qartë se është përvijuar koalicion antivlerash në horizont dhe ka alibi për të mbajtur Ramën në pushtet.

Kjo qeveri ka zvogëluar hapësirat për debat publik. PD dhe demokratët do të largojnë këtë qeveri, nëse vendimet i shërbejnë kësaj, do të ecim përpara. Nuk mund të mbajmë në këmbë pazare të vjetra. Ne luftojmë për interesat e njerëzve dhe jo personale. Nëse do të dish sesi ndihem, unë ndihem demokrat dhe ne kemi përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që këtë betejë e bëjnë për idealet demokratike. Rama kundërshtar serioz të tij ka pasur vetëm Bashën”, tha ai në mbrëmjë vonë.

Më herët,  Lulzim Basha mblodhi strukturat drejtuese të martën mbasdite pasi Apeli i dha Sali Berishës vulën e PD-së. Në hyrje të selisë së marrë me qira, Basha tha se nuk komenton vendimet e gjykatave, por theksoi se, do të vijojnë betejën dhe hapat që do ndjekin pas këtij vendimi.

“Nuk komentoj vendimet e gjykatave, ky është dhe një standard i mi, i yni si Parti Demokratike, për të cilin kemi deklaruar që do të përmbahemi edhe në rastin e vendimit të gjykatës së Apelit. Ajo që dua t’u them shumë mbështetësve, demokratëve, por dhe qytetarëve që janë mërzitur me këtë vendim, e vetkuptueshme që janë të mërzitur se prisnin një vendim tjetër, është t’iu them mos të mërziten, mos të dëshpërohen. Në fund të fundit këtë betejë as nuk e kemi nisur dhe as nuk e vazhdojmë për logo, për vulë apo për karrige. Jemi bërë bashkë për diçka shumë më të madhe. Kjo është një betejë shpritrash të bashkuar për idealet e dhjetorit, me të cilat ka lindur Partia Demokratike e Shqipërisë. Për idealet e atyre të cilët u flijuan në rezistencën antikomuniste. Për të përndjekurit politik, për pronarët, për shtresën e mesme shqiptare, për familjet shqiptare dhe sot është më e qartë se kurrë që shqipëria meriton ndryshe, meriton më mirë, meriton më shumë”, tha Basha.

“Ndaj ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe nuk kemi pak në dorë, që mos ta shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, qindra e mijëra njerëz që besojnë në një të ardhme më të mirë për vendin, por të vazhdojmë betejën tonë, të vazhdojmë përpjekjet tona për një Shqipëri të mirë.

Vendimet për hapat do t’i diskutojmë tani me kolegët, prandaj jemi mbledhur. Të gjitha vendimet që do të marrim do të jenë në përputhje me atë angazhim që kemi marrë me qindra, mijëra demokratëve, synimi kryesor i të cilëve është largimi i një ore më parë i kësaj qeverie dhe hapja e perspektivës të një Shqipërie që meriton shumë më shumë se sa ç’ka sot.

Nuk e kam ndjerë asnjëherë veten ndryshe për shkak të titujve dhe ofiqeve. Kam qenë Lulzim Basha para se të hyja në politik, jam Lulzim Basha sot dhe do të jem në çfarëdo pozite tjetër. Ajo që më lidh me njerëzit, nuk është tituli, ofiqi, karrigia apo logo, por është përkushtimi ndaj një Shqipërie më të mirë që meriton më shumë dhe do të ketë më shumë”.

Enkelejd Alibeaj tha gjithashtu se do të zbatojë vendimin pikë për pikë, ndërsa Kreshnik Çollaku tha se pavarësisht vendimit, ai mbetet deputet i PD.

Pas takimit dy orësh, nuk pati njoftim zyrtar, por njoftohet jo zyrtarisht se nga kryesia ka pasur propozime për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Për betejën ligjore, nëse Basha do të vendosë një të tillë, janë thirrur në mbrëmje edhe kryetarët e degëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë