Kosova

Festa për Çlirimin, Blair: Vendimi për të ndërhyrë në Kosovë, i duhuri. Osmani: Na shpëtuat nga shfarosja

Në konferencën për shtyp me presidenten e Kosovë, Vjosa Osmani, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair ka kujtuar momentin kur vendi i tij mori vendimin për t’iu bashkuar sulmeve të NATO kundër ish-Jugosllavisë.

Blair shprehu bindjen se kjo ishte gjëja e duhur që duhej bërë

“Është një çast emocionesh të thella. Nderime popullit të Kosovës për guximin e tyre dhe vendosmërinë e tyre që ta shfrytëzojnë dhe t’ia shohësh të mirën çlirimit. Atëherë isha i bindur që ishte gjëja e duhur për të bërë dhe tani jam i bindur që duhet të jemi krah Kosovës që e ardhmja e saj të jetë në linjë. Këtu po ndodhin gjëra pozitive që janë mësim për të gjithë botën dhe pres me padurim që të pres ditën që Kosova të zërë vendin e duhur në familjen e Kombeve”, tha Blair.

Presidentja Vjosa Osmani falënderoi mbështetjen që ka pasur vazhdimisht Republika e Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa e konsideroi Blair-in si një mik të popullit të Kosovës.

“Më forcat aleate të NATO-s ju na shpëtuat nga shfarosja. Kosova sot është një nga trashëgimitë e tua… Shumë fëmijë të asaj kohe mbajnë emrin tuaj, ata janë dëshmi që sa shumë gjurmë keni lënë te ne.

Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbetet një prej aleatëve më të fuqishëm të Kosovës, një nga vendet e para që ishte përkrah nesh në liri, pavarësi e demokraci, prandaj ju shpreh mirënjohjen e thellë edhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Suksesi i Republikës së Kosovës është dëshmi e angazhimit tuaj atëherë, dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar dhe dëshmi se sa e rëndësishme është partneriteti me aleatët tanë edhe sot dhe sa krucial është që ne të bëjmë hapa përpara.

I nderuar Sir Blair, trashëgimia juaj në Kosovë është trashëgimia e shpresës e lirisë dhe e partneritetit të qëndrueshëm. Ne jemi të nderuar që ju kemi mik dhe aleat të vazhdueshëm për paqe dhe progres. Populli i Kosovës ju vlerëson dhe do t’iu mbajë në zemër sot dhe përherë për kontributin tuaj të çmueshëm për lirinë tonë”, u shpreh presidentja Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë