Kosova

Gërvalla: Shqyrtimi i draftit për Asociacionin vetëm nëse Serbia zbaton Marrëveshjen bazike

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova do të mund ta shqyrtojë draft-statutin e propozuar nga Perëndimi për krijimin të Asociacionit të komunave me shumicë serbe vetëm nëse ai dokument është pjesë e Marrëveshjes bazike për normalizim marrëdhëniesh, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, një vit më parë.

“Ka një logjikë pse duhet të jetë pjesë e pakos, sepse pakoja parasheh njohjen de facto nga ana e Serbisë. Një dokument i tillë nuk është i shëndoshë për vendin tonë në momentin që nuk e kemi as njohjen de facto, e lëre më njohjen de juro nga ana e Serbisë”.

Ajo i bëië këto deklarata në një intervistë për agjencinë e lajmeve, KosovaPress.

Sipas Gërvallës, aktualisht Qeveria e Kosovës nuk mund të procedojë me draftin për Asociacionin, pasi, sipas saj, draftet nuk dërgohen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Draftet duhet të kalojnë nëpër disa etapa para se të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese. Dhe ky draft, kështu siç është, i shkëputur nga pakoja që kemi në Bruksel, nuk mund të procedohet më tej nga Qeveria në asnjë hap”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se ky draft është pjesë e Marrëveshjes bazike, të cilin Kosova se ka në plan ta shkëpusë.

“Çfarë kemi thënë ne, ju kemi propozuar partnerëve tanë që nëse ata konsiderojnë që me Serbinë nuk mund të arrijmë sukses në formë bilaterale, atëherë ne si Qeveri e përgjegjshme kemi treguar gatishmërinë tonë që të ulemi edhe me përfaqësues të serbëve në Kosovë, edhe të hartojmë një dokument, që respekton rendin tonë kushtetues, ligjet tona, por edhe plotëson disa kërkesa të komunitetit serb në Kosovë. Për këtë propozim ende nuk kemi hasur në gatishmërinë e partnerëve tanë”.

Faktori ndërkombëtar insiston që Kosova duhet të formojë sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë