Nga Gazeta ‘Si’-Shqipëria kalon provimin para Euro 2024, teksa triumfoi 3-1 ndaj Azerbajxhanit në Hungari, në miqësoren e fundit në prag të evenimentit më të rëndësishëm futbollistik në Europë.
Kuqezinjtë e Silvinjos treguan klas dhe forcë kryesisht në 45-minutat e para të sfidës e cila ishte testi i dytë para nisjes së kampionatit Europian, ku Shqipëria do të luajë më 15 qershor përballë Italisë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.
Nedim Bajrami realizoi golin në minutën e 11-të të takimit, me të djathtën nga jashtë zone duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit kundërshtar.
Në pjesën e dytë porta e kuqezinjve u rrezikua disa herë deri në minutën e 81’ kur Manaj dyfishoi shifrat për Shqipërinë.
3 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Qazim Laçi thelloi shifrat, duke ndezur edhe më shumë festën në stadium. Azerbajxhani realizoi golin e nderit në fund, me anë të Gurbanli.
Formacioni zyrtar
Sylvinjo zgjodhi në fushë pjesën më të madhe të atij që pritet të jetë formacioni titullar gjatë aktivitetit në Gjermani. Në mbrojtje në të djathtën ishte Hysaj teksa në qendër ishte Gjimshiti që zuri vendin e tij të zakonshëm. Silvinjo i ka dhënë minuta Ajetit duke e aktivizuar nga minuta e parë në këtë sfidë.
Ndërkohë, mesfusha ishte e zakonshmja me Asllanin e Ramadanin përkrah njëri-tjetrit dhe Bajramin më të avancuar.
Në sulm, Asani dhe Seferi krijuan dyshen e zakonshme nga krahët, që tani ka Brojën si pikë referimi në qendër.
Ndryshimet e formacionit në radhët e kuqezinjve
Pjesa e dytë nisi me katër zëvendësime.
Në fushë hynë Manaj, Mihaj,Aliji dhe Hoxha në vend të Asanit, Brojës, Mitajt dhe Gjimshitit.
Më tej në minutën e 61’ Seferi i la vendin Laçit.
Shqipëria kështu merr dy fitore në dy ndeshjet miqësore të qershorit, duke konfirmuar faktin se djemtë janë gati të na dhurojnë emocione në Europianin që nis pas disa ditësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.