Gazeta Si- Një 31-vjeçar, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi (Himarë), dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga një 43-vjeçar, i cili është larguar drejt Greqisë.
Policia e Vlorës thotë se pas hetimeve, dyshohet se trupi i Eraldo Novruzit nuk është gjetur ende, ndërsa në njoftimin për mediat nuk specifikon shkakun e vrasjes së dyshuar të të riut nga Tirana.
Dyshohet se ai është qëlluar me armë zjarri rreth orës 00:30, nga shtetasi Geraldo Shehu, 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.
Sipas policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur njolla gjaku dhe se ka shoqëruar 29 persona, pasi dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale.
Kanë qenë pronarët e hotelit ata që kanë njoftuar policinë, pasi kishin humbur kontaktet me recepsionistin.
Pas hetimeve, policia zbardhur ngjarjen dhe ka shpallur në kërkim 43-vjeçarin.
NJOFTIMI I POLICISË SË VLORËS:
Më datë 06.06.2024, Policia ka marrë njoftim se në Dhërmi, Himarë, shtetasi E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.
Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi G. Sh., 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.
Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë.
Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.
Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




