Është hapur në Prishtinë Edicioni i 24-t i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
“Panairi nuk është çështje vetëm e organizimit, por dëshmi e qëndrueshmërisë, rezistencës dhe përkushtimit të shtëpive botuese që bashkë me autorët të krijojnë dhe ofrojnë përmbajtje cilësore për lexuesit në Kosovë.”
Kështu tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në edicionin e 24-t të Panairit të Librit, i cili u hap sot në Prishtinë me moton “Përgjigjja është libri”.
Hajrulla Çeku tha për KosovaPress se gjeneratat e reja të autorëve, krijuesve në letërsi janë duke sjellë një frymë të re, dhe sipas tij kjo është arsyeja kryesore pse nuk ka rënie në nivelin e leximit.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se ministria që ajo drejton ka ndërmarrë një rishikim të thellë të teksteve shkollore duke punuar në tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës, për arsye që fëmijët të rriten me tekste cilësore dhe efektive.
Drejtoresha komunale për Kulturë në Prishtinë, Sibel Halimi u ka bërë thirrje shkrimtarëve dhe lexuesve të promovojnë sa më shumë leximin, pasi sipas saj niveli i leximit është duke shënuar rënie.
Edicioni i 24-t i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK), mbahet prej 5 deri më 9 qershor 2024, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Në panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, me rreth gjashtë mijë tituj, prej tyre dy mijë tituj të rinj.
Në kuadër të panairit do të shënohet edhe 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, 100-vjetori i vdekjes së Franc Kafkës dhe aktivitete tjera, ku spikasin i ftuari i nderit shkrimtari francez Eric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe Çmimit Deux-Margots, botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, po ashtu i ftuar i nderit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.