Kombetarja

Pas Lihtenshtejnit flasin protagonistët, Sylvinho, Asllani, Broja e Asani: Jemi të karikuar

Pas fitores 3-0 në miqësoren me Lihteshtejnin, Trajneri Sylvinho u shfaq mjaft i kënaqur me atë që kuqezinjtë bënë në miqësoren ndaj modestëve të Lihtenshtejnit, teksa pas ndeshjes tha se mori përgjigjet e duhura nga futbollistët e tij.
A morët përgjigjet që prisnit nga futbollistët në këtë test të parë?
“Sigurisht që po. Ata janë të karikuar dhe po punojnë shumë. Sot kanë bërë shumë mirë të gjithë. Kanë bërë një punë shumë të mirë”.

Si është gjendja e Brojës dhe Asanit, që kanë luajtur pak muajt e fundit me ekipin e tyre?
“Të gjithë që kanë ardhur këtu, janë të përgatitur dhe gati për të luajtur në Europian. Jo vetëm Broja dhe Asani, por edhe të tjerë nuk kanë luajtur shumë. Një ndër ta ishte Ajeti, që nuk luante prej tre muajsh, por sot qëndroi në fushë 60 minuta. Sot donim t’u jepnim më shumë minuta lojtarëve që kanë luajtur më pak këto kohë”.
Preferoni më shumë cilësinë e Gjasulës dhe Arbër Hoxhës, apo kilometrat e Seferit dhe Ramadanit?
“Ne kemi qenë me dy grupe të ndryshme dhe në njërin prej tyre ishin lojtarë që kanë ardhur më vonë si Seferi, Ramadani, Gjimshiti e Abrashi, ndaj edhe i lamë pushim. Pjesa tjetër e grupit ka punuar rregullisht dhe sot kishim mundësi t’i shihnim në aksion”.

Asllani: Italia shumë e fortë, duam të jemi në formë optimale në Evropian

Kristjan Asllani më shumë se për ndeshjen me Liechtensteinin, u pyet për ndeshjen e parë me Italinë në Evropian, sezonin me Interin dhe pozicionin që ka fituar në formacionin e Sylvinhos.
“Po të më bëjnë pyetje nga stafi apo futbollistë për Italinë, sigurisht do të përgjigjem. Të gjithë e njohim Italinë, ka lojtarë shumë të fortë. Po përgatitemi për atë ndeshje dhe shpresojmë të bëjmë sa më mirë. Shpresojmë të shkojmë në formën më të mirë, dhe po pati nevojë skuadra për ndonjë pasim të gjatë, shpresoj të jap asist”.
Seriozitet ndaj Liechtensteinit: “Po, normale, Evropiani nuk vjen çdo vit. Kemi ardhur me shumë dëshirë deri këtu, ndeshjen e morëm seriozisht dhe shpresojmë të arrijmë në formën më të mirë përballë Italisë.”
Interi dhe Shqipëria: “Jam 22 vjeç dhe sa herë me jepet shansi, dua të jap diçka. Tek Interi kam pasur disa mundësi dhe mendoj se kam bërë mirë. Falënderoj Sylvinhon që më ka dhënë mundësi. Unë dua të jap më të mirën në fushën, të shohim.
Këtë vit erdhi edhe goli i parë me Interit. Jam përfshirë shumë me grupin dhe jam bërë shok me të gjihtë lojtarët. Kjo është shumë e rëndësishme.

Broja jep garanci: Jam në superformë, dua të ndihmoj Kombëtaren

Armando Broja duket se ka rigjetur formën e tij më të mirë, teksa ndaj Lihtenshtejnit qëndoi në fushë për më shumë se 60 minuta, duke shënuar edhe golin e parë. Pas ndeshjes sulmuesi dha garanci se është gati për të ndihmuar skuadrën në Europian, teksa thuri elozhe edhe për trajnerin Sylvinho e grupin e futbollistëve kuqezi.
Ashtu si Asanin, edhe juve klubi nuk ju ndihmoi shumë për të luajtur këto muaj. Megjithatë kombëtarja duket se është shtëpia juaj, aty ku jepni maksimumin…
“Gjërat te klubi nuk shkojnë gjithmonë ashtu siç dëshiron. Janë zgjedhjet e trajnerit dhe duhet t’i pranosh. Kur vij këtu kam një emocion tjetër dhe kur bashkohem me çunat jap maksimumin. Kur luajmë lirshëm dhe kënaqemi në fushë, bëjmë një futboll të bukur”.
A jeni gati të jeni numri 9 i Shqipërisë në Europian? A jeni gati të dëfreheni dhe të bëni lojën që dini?
“Jam gati gjithmonë. Trajneri është ai që vendos, por unë jam gjithmonë gati të jap maksimumin kur të jem në fushë. Jam këtu për të bërë punën time, të ndihmoj ekipin me gola dhe asiste. Jam këtu për të bërë diferencën dhe shpresoj që të ndihmoj sa më shumë skuadrën kombëtare”.
Do të donim që të kishit ardhur me më shumë minuta në Europian, por jemi para këtij fakti. A mendoni se jeni 100% gati për të përballuar Europianin?
“Fizikisht jam shumë shumë mirë, pasi kam punuar shumë jo vetëm te skuadra, por edhe individualisht. Mund të them se jam kthyer në formën më të mirë, ndoshta njësoj si para dëmtimit. Sot mora rreth një orë dhe mund të rezistoja edhe më shumë, megjithatë trajneri donte të provonte edhe lojtarë të tjerë”.
Në videot tuaja flisnit me shumë entuziazëm për Shqipërinë. A do të jetë ky një Europian që do t’u afrojë më shumë me skuadrën në aspektin e lidershipit?
“Unë kam munguar shumë kohë për shkak dëmtimi, por të gjithë më mirëpritën kur u riktheva. Kam qenë me ta edhe më parë dhe shkoj mirë me të gjithë. Rrimë bashkë edhe jashtë stërvitjes, pasi kemi ambient shumë të mirë. Edhe trajneri na ka bashkuar shumë si ekip. Edhe tifozeria më ka dhënë shumë kënaqësi dhe entuziazëm, ndaj i falënderoj të gjithë që besojnë te unë”.
A është kjo loja dëfryese e përshtatshme për t’u përballur me kundërshtarë të fortë?
“Ne kemi luajtur me ekipe shumë të forta dhe bukuria e futbollit është kur fiton ndaj tyre. Ne po përgatitemi shumë mirë dhe jemi shumë të kënaqur, ndaj shpresoj që të bëjmë shumë mirë ndaj tyre. Në 90 minuta diferencën e bëjnë detajet, ndaj jam i bindur që do të bëjmë mirë”.

Asani: Stafi po më ndihmon shumë, këto fitore na rritin besimin

Sulmuesi anësor Jasir Asani deklaroi pas ndeshjes se skuadra po punon shumë për të bërë një përfaqësim mjaft të mirë në Gjermani.
“Klubi nuk më ka ndihmuar, por stafi teknik dhe të gjithë futbollistët këtu më kanë ndihmuar shumë. Te klubi nuk kam marrë minuta, por jam stërvitur shumë dhe po vazhdoj të punoj për të bërë një paraqitje sa më të mirë në Kampionatin Europian”.
“Çdo ndeshje është e vështirë, qoftë edhe miqësore. Ne i vlerësojmë të gjitha njësoj dhe futemi në fushë për të dhënë maksimumin, në mënyrë që të fitojmë. Fitoret në këto miqësore na rritin vetëbesimin për të shkuar drejt Gjermanisë me mentalitet fituesi.
Lidhur me faktin se si ndihet me Brojën në sulm, ai u shpreh: “Çdo ndeshje na rrit vetëbesimin, pasi na pret një ndeshje shumë e madhe ndaj Italisë. Formacionin e vendos stafi, por kushdo që zbret në fushë, ne do të jemi të gjithë një. Kjo është fanellë shumë e rëndë dhe jemi gati të japim maksimumin për fitore”. /Supersport


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë