Kombetarja

Si pritet të luajë Shqipëria ndaj Lihteshtejnit!

Nga Gazeta ‘Si’ – Shqipëria prej disa ditësh ka nisur grumbullimin në kuadër të Europianit që starton më datë 14 qershor në Gjermani. Kuqezinjtë, janë pjesë e një grupi mjaft të fortë ku bëjnë pjesë Italia, Spanja dhe Kroacia. Megjithatë, të besuarit e trajnerit Sylvinho do të tentojnë më të mirën e tyre edhe pse gjithçka shihet si një mision i pamundur.

Përveç stërvitjes, Shqipëria ka programuar edhe dy miqësore, e para ajo e ditës së sotme ndaj Lihtenshtejnit, një takim i cili do të zhvillohet në Hungari duke nisur nga ora 20:00 dhe që pritet t’i shërbejë teknikut brazilian për të kuptuar më mirë gjendjen fizike të futbollistëve të grumbulluar.

Udhëtimi do të jetë me autobus nga qendra ku është grumbulluar skuadra në Austri pasi ka një distancë kohore udhëtimi rreth 1 orë dhe më pas gjithashtu skuadra do të rikthehet në bazën e saj.

Edhe formacioni mendohet të pësojë ndryshime me Sylvinhon që edhe në konferencën për shtyp para ndeshjes, paralajmëroi se në fushë do të hedhë futbollistët që kanë luajtur më pak.

Nga sa është kuptuar deri më tani pritet që mbrëmjen e sotme braziliani mendohet se do të përdorë skemën e tij të preferuar 4-3-3. Në portë do të jetë Berisha dhe përpara tij janë të vendosur Hysaj, Ismajli, Ajeti dhe Mitaj. Në mesfushë janë Asllani, Ramadani dhe Laçi ndërsa ofensiva formohet nga Asani, Manaj dhe Bajrami.

Në tre përballjet e mëparshme ndaj Lihtenshtejnit, Shqipëria ka fituar dhe në të treja ndeshjet me rezultatin 2-0.

Pas kësaj miqësore, kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe testin e dytë miqësor ndaj Azerbajxhanit më datë shtatë qershor për t’u përgatitur më pas për Europianin që do ta hapin ndaj Italisë më datë 15 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë