Kombetarja

“Nuk merrem me debate”, Sylvinho lojtarëve: Diferencën e bën edhe 1 minutë

Trajneri Sylvinho doli sot në konferencën për shtypin në lidhje me përgatitjet e kombëtares shqiptare për Euro 2024. Kuqezinjtë debutojnë kundër Italisë (15 qershor). Më pas duelet me Kroacinë (19) dhe Spanja (24).

Ndërkohë, Shqipëria do të zhvillojë dy miqësore përpara nisjes së Europianit. Kundër Lihtenshtejnit (3) dhe Azerbajxhanit (7). Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera braziliani tha:

“Këtu është një atmosferë shumë e mirë. Donim që ta nisnim në Tiranë, për të ndierë atmosferën dhe entuziazmin e njerëzve. Kemi 3-4 ditë që kemi nisur fazën përgatitore. Kemi Seferin që luajti në datën 29 maj, kemi Abrashin që ka luajtur më 31, mbrëmë u bashkua me grupin. Kemi edhe kapitenin Gjimshiti që ka një ndeshje për të luajtur. Do të bashkohet nesër me ne.

Po përgatitemi sa më mirë për Euro 2024. Kam parë motivimin e duhur te skuadra. Nuk na mungon karikimi dhe motivimi, kjo është një gjë shumë e bukur. Kemi lojtarë me karakteristika të ndryshme. Nesër, me shumë mundësi do e kemi grupin të plotë. Ka lojtarë që kanë ardhur nga shumë ndeshje. Nuk po them që janë të lodhur, por duhet t’i menaxhojmë mirë.

Si edhe ata që nuk kanë luajtur shumë, është detyra jonë t’i përgatisim të gjithë. Euro 2024 është turne i shpejtë dhe dinamik. Duhet të përgatisim sa më mirë lojtarët, që të japin kontributin e tyre për kombëtaren e Shqipërisë. Duhet të përgatitim të gjithë lojtarët, të gjithë, dhe të aktivizojmë më pas më të mirët. Gjithë grupi ka karikimin e duhur.

Në një turne të tillë si Europiani 1 minutë mund të bëjë diferencën. Në çdo moment mund të ndryshohet situata, çdo futbollist mund të bëjë diferencën. Lojtarët që nuk e kuptojnë këtë situatë i bie që të mos jenë në gjendje të zbresin në fushën e lojës.

Miqësoret me Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanin? Ideja ime është që të hedhim në fushë lojtarët që kanë luajtur më pak. Dhe të rikuperojmë ata që kanë luajtur më shumë me klubet e tyre.

Lista? Nuk kam kohë të shoh se çfarë thuhet në publik. Kam shumë ngarkesë dhe punë për të bërë. Nuk arrij të jem në gjendje të ndjek debatet që bëhen. Secili ka mendimin e vet për listën.

I kam falënderuar të gjithë për kontributin që kanë dhënë për Shqipërinë dhe për këtë pjesëmarrje në Europian. Isha në Botërorin e 2018-s me Brazilin, është diçka që të jep shumë adrenalinë. Njësoj do të jetë edhe në Euro 2023, ndjesi e gjitha për t’u shijuar“, deklaroi tekniku i kombëtares shqiptare. /supersport


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë