Njerez

Kurimi i Michael Schumacher kushton 7 milionë euro në vit, gruaja e tij shet asetet e familjes

Gazeta Si – Më shumë se dhjetë vjet pas aksidentit të tmerrshëm në pistën e skive në vitin 2013, gjendja shëndetësore e ish-kampionit të Formula 1, Michael Schumacher mbetet në sekretin më të rreptë.

Megjithatë, përpjekjet e familjes për të vazhduar garantimin e kujdesit shëndetësor për ish-pilotin janë të njohura.

Deri më tani, sipas një vlerësimi të tabloidit anglez “The Sun”, shuma e shpenzuar që kur ka nisur kurat prej gati para 10 vjetësh, është rreth 70 milionë euro, rreth 7 milionë në vit. Shtatë herë kampioni i F1 ka vazhduar rehabilitimin në shtëpinë e tij që nga viti 2014.

Vitet e fundit, bashkëshortja e tij, Corinna është përpjekur gjithmonë të mbrojë privatësinë e tij dhe të garantojë terapitë më të mira për të, kryesisht duke përdorur kapitalin e grumbulluar nga ish-piloti vitet e fundit.

Në maj, koleksioni i orëve luksoze të Schumacher-it u hodh në ankand në Gjenevë dhe u shit për 4.4 milionë euro.

Midis tyre, një model “Patek Philippe” i vitit 1948, nga i cili vetëm 58 lloje u bënë në mbarë botën, u shit për 2.5 milionë.

Për më tepër, Corinna ka shitur avionin privat të familjes (që kushton 31.6 milionë) dhe disa prona, përfshirë vilat që nuk përdoren më.

Vitet e fundit, Corinna ka shitur një pronë në Mallorca, një në Norvegji dhe të fundit në liqenin e Gjenevës.

Më pak se një javë më parë, familja e Michael Schumacher fitoi një proces gjyqësor kundër botuesit të një reviste që kishte publikuar një intervistë të krijuar nga Inteligjenca Artificiale me ish-pilotin. Në prill 2023, “Die Aktuelle” doli me njoftimin e “intervistës së parë” me Schumacher.

“Duket mashtrim i vërtetë”, ishte shkruar për të prezantuar citimet e supozuara të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që i atribuohen Schumacher.

Sipas bashkëshortes së tij Corinna, kjo është një tjetër provë e tentativave të përsëritura për të hyrë në jetën private të ish-pilotit gjerman.

Zëdhënësja e familjes, Sabine Kehm tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se veprimi ligjor ishte i suksesshëm, pa konfirmuar kompensimin.

Sipas zërave do të ishte rreth 200 mijë euro dëmshpërblim. Vitin e kaluar, botuesi i revistës “Funke” i kërkoi falje familjes së Schumacher për artikullin dhe shkarkoi kryeredaktorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë