Nga Gazeta ‘Si’ - Sot, profesioni i trajnerit është një ndër të më të vështirët, pasi duhet të jenë 4 persona brenda njërit: teknik, takticien, edukator dhe komunikues…
Jo më kot, në Brazil, profesionin e trajnerit të futbollit e kanë cilësuar si më të vështirin, sigurisht kjo edhe për nga rëndësia e këtij sporti në vendin e Amerikës Latine.
Tek ne, një trajner brazilian, si Sylvio Mendez Junior, duhet ta ndiejë veten me fat, që Shqipëria ka pak banorë, dhe jo sa në Brazilin e tij, pasi si rrjedhojë, ai ka vetëm rreth 2 milionë “trajnerë“ që e kritikojnë, i japin zgjidhje dhe alternativa, në vend të 215 milionë “trajnerëve” në vendin e tij.
Sylvinho ka edhe një tjetër fat, ndryshe nga ai i paraardhësit të tij Gianni de Biasi në “Euro 2016”. Me fat, sepse i duhet të zgjedhë në një rreth më të ngushtë, pa shqiptarët e Kosovës, që në atë kohë krijuan jo pak probleme. Kujtojmë këtu lënien jashtë të Rashicës në atë kohë një djalosh i ri i talentuar, pjesë më shumë e ekipit U21 kuqezi, apo Rrahmanin, mbrojtësin e Partizanit, sot i Napolit në Serinë A, çka solli largimin e tyre përgjithmonë nga ngjyrat e fanelës sonë kuqezi, për të kaluar te Përfaqësuesja Dardane, që në maj të 2016-s, sapo u njoh zyrtarisht nga FIFA dhe UEFA.
Ndërkohë, kapiteni i sotëm, Berat Gjimshiti, i cili gjithashtu u la jashtë, kishte argumentin e mungesës së eksperiencës, vetëm 3 ndeshjet e fundit u aktivizua tek Atalanta, që në atë vit sapo e kishin marrë. Në vend të tij u preferua Veseli, që si për ironi të fatit sot, në listën e Sylvinhos nuk u përzgjodh, jo vetëm përpara Gjimshitit që është pa dyshim një ndër shtyllat kryesore të Kombëtares dhe mbrojtjes kuqezi, por as përpara Marash Kumbullës, i cili e mbylli këtë edicion me shumë pak minuta dhe me shumë gabime.
Ndërkohë, në 2016-n Kombëtarja kuqezi kishte një mbrojtje me një kapiten-lider si Lorik Cana, krahas të cilit ishin Mërgim Mavaraj dhe Ansi Agolli, të rinjtë 22 dhe 23-vjeçarë, Arlind Ajeti, Frederik Veseli, Naser Aliji dhe Elseid Hysaj.
Emra të cilët nuk jepnin sigurinë që ka sot ekipi ynë kombëtarë me Berat Gjimshitin, Ardjan Ismajlin, Elseid Hysaj sot 30 vjeç, së bashku me Naser Alijin po në këtë moshë edhe pse sot nuk aktivizohet më si në atë kohë tek Baseli, por disi më poshtë në nivel si kampionati rumun, tek "Voluntari".
Ndërkohë, nëse shohim mesfushën e sotme, kuqezinjtë janë krejtësisht tjetër nivel. Ndryshe nga Memushaj që aktivizohej tek Pescara, Kaçe tek PAOK, Migjen Basha tek Como, Lenjani tek Nanta në Francë, Kukeli tek Zyrihu, Xhaka tek Bazeli, apo Roshi tek Rijeka, sot klubet e mesfushës kuqezi kanë një peshë më të madhe.
Nga Asllani, kampion i Italisë me Interin, Ramadani së bashku me Medon Berishën tek Lecce, është po Bajrami në Serie A prapë tek Sassuolo apo Ernest Muçi, nëse do ta konsiderojmë sipas listës së trajnerit tek mesfushorët, që është pjesë e fituesve të Kupës së Turqisë me gjigandin Beshiktash.
Ndërkohë edhe sulmi i “Gjermani 2024” është shumë larg për nga përfaqësimi dhe efikasiteti, të paktën nga sezonet që kanë mbyllur lojtarët. Nën drejtimin e De Biasit, u përzgjodhën 4 sulmues: Bekim Balaj, i cili me Rijekën e atij edicioni 2015/2016 shënoi 10 gola, Sokol Cikalleshi që në atë edicion aktivizohej sërish në Turqi, por me Bashakshehir, kur kishte shënuar 13 gola dhe Armando Sadiku që aktivizohej në Vaduz të Zvicrës, ku kishte shënuar 9 gola, pasi Shkëlzen Gashi ishte mes lojtarëve me pak gola, por më tepër për të plotësuar repartin. Duke grumbulluar në total 32 gola si repart.
Ndërkohë Sylvinho që në përzgjedhje ka 6 sulmues të deklaruar, por bashkë me Muçin, i cili më tepër është sulmues se mesfushor, janë shtatë. Rei Manaj vjen pas një edicioni të shkëlqyer me 18 gola me Sivasporin; Mirlind Daku, i cili është ende në fillimin e sezonit pasi luan në Rusi dhe sezonet atje janë me vite kalendarike, ka shënuar deri më tani 10 gola; Taulant Seferi që aktivizohen në Abu Dhabi ka shënuar 11 gola, ndërkohë që Broja, lojtari ku janë pritshmëritë më të mëdha, pasi vjen nga Premier League, ka pasur sezonin më të vështirë me vetëm 1 gol në gjysmën e kampinatit që është akivizuar disa minuta pasi vinte nga një mungesë e gjatë pas dëmtimit.
Emri më i ri, ai i Arbër Hoxhës, që aktivizohet tek Dinamo e Zagrebit, ka shënuar 5 gola në këtë sezon, duke e çuar bilancin kështu në 45 gola, pa 3 golat e Muçit.
Shifra dhe emra të një tjetër niveli këto të Sylvinhos, me një filozofi sulmuese, larg asaj mbrojtëses së De Biasit, ndoshta i kushtëzuar edhe nga niveli i lojtarëve, por me kundërshtarë shumë të ndryshëm. Nëse luanim asokohe me Francën, organizatoren dhe pretendenten kryesore për titullin e atij Europiani, sot do të kemi përballë Italinë, kampionët në fuqi të Europës, fituesit e Ligës së Kombeve të Spanjës dhe medaljen e bronztë të Botërorit, Kroacinë.
Ndoshta në pamje të parë një sfidë e denjë për një “Mision të Pamundur”, por në futbollin e sotëm çdo gjë mund të ndodhë dhe ne presim të ndodhi mrekullia… edhe pse e dimë se 2 milionë “trajnerët” janë gati në pritje…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.