Futboll

‘Mallkimi’ i golit kualifikues të Europianeve për kuqezinjtë, kush shënon mbetet jashtë

Nga Gazeta Si- Me publikimin e listës së lojtarëve të grumbulluar për në finalet e Europianit ka patur disa lojtarë të pakënaqur dhe shumë njerëz që kanë bërë komentet e tyre, nga më të ndryshmet për njërin apo për tjetrin lojtar, të grumbulluar ose jo për në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për kontinentin, kombëtaren dhe vendin tonë.

Ndër emrat që bëri më tepër zhurmë për mungesën e tyre ishin padyshim Myrto Uzuni dhe Sokol Cikalleshi, por nëse për të parin ekziston edhe justifikimi i dëmtimit, për këtë të dytin, sulmuesin nga Kavaja i skuadrës së Konyasportit në kampionatin turk, nuk ka një argument të qartë. Aq më tepër kur në repartin e sulmit mes të grumbulluarve sheh edhe një emër si ai i një debutuesi për ndeshje zyrtare, si sulmuesi i Dinamos së Zagrebit, Arbër Hoxha një djalosh i ri i cili nuk ka thuajse asnjë eksperiencë me kombëtaren, përjashto miqësoret e muajit mars kundër Kilit dhe Norvegjisë, ku edhe në ato takime në pak minutat e aktivizuara nuk tregoi shumë. Megjithatë trajneri e ka ndjekur gjatë dhe e ka mes të preferuarëve së bashku me Armando Brojën, i cili gjithashtu nuk ka asnjë ndeshje të plotë në këtë vit kalendarik 2024 me klubin e tij.

Trajneri theksoi se i janë dashur rreth 3 muaj për të përpiluar këtë listë ku janë marrë për bazë disa kritere, jo thjeshtë minutat e luajtura me klubet respektive.

Ndërkohë një ditë pas shpalljes së listës ka qenë vetë sulmuesi kavajas që nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar tërheqjen nga kombëtarja, kjo edhe për arsye të moshës së tij, pasi në gusht të këtij viti, do të mbush 34 vjeç.

Tingëllon e çuditshme dhe një koincidencë e veçantë pasi, me sa duket goli i kualifikimit për në finalet e dy Europianeve që ne kemi marrë pjesë, të atij francez në vitin 2016-të dhe tani në Gjermani 2024, duke si ters për autorin.

Kështu në vitin 2015-të kur kuqezinjtë udhëtuan deri në Jerevan të Armenisë për të luajtur ndeshjen e fundit që do të na kualifikonte në finalet e Francë 2016-të, autori i njërit nga 3 golat e shënuar, saktësisht të dytit, ishte pikërisht Berat Gjimshiti, sot kapiteni i skuadrës, por në atë kohë edhe pse ishte mes vendimtarëve të ndeshjes dhe protagonist me gol, për De Biazin nuk ishin argumente bindës që ky lojtar të ishte pjesë e listës së kombëtares që shkoi në Europian.

Si për koincidencë edhe golin e kualifikimit zyrtarë të kuqezinjve në Europianin e 2024-s e shënoi pikërisht ai, që sot nuk është më mes atyre që do të përfaqësojnë ekipin tonë kombëtarë në finalet e Europianit të Gjermanisë, Sokol Cikalleshi. Bëhet fjalë për golin me penallti të barazimit 1-1 ndaj Moldavisë në transfertë, ndeshja e parafundit, që na dha pikën që na nevojitej për t’u kualifikuar zyrtarisht por edhe për të mbajtur gjithashtu vendin e parë në grup, një arritje që nuk e kishim imagjinuar ndonjëherë.

Sokol Cikalleshi shënon nga penalltia gjatë ndeshjes së futbollit Moldavi - Shqipëri,1-1, e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024. Marrë nga LSA.

Veç atij goli, Cikalleshi ka qenë pjesë e 11-tshes i padiskutueshëm në të gjitha ndeshjet kualifikuese duke i filluar të gjitha nga minuta e parë, por as kjo nuk i mjaftoi Sylvinhos që ta përfshinte këtë lojtar mes më të mirëve për në ndeshjet finale ndaj Italisë, Spanjës dhe Kroacisë.

Për të ardhur keq, pasi do të ishte aktiviteti i tij i fundit kaq i madh, sepse Shqipëria nuk është mes atyre skuadrave që kualifikohet gjithmonë në faza finale të këtyre kompeticioneve dhe padyshim që do të ishte një mbyllje karriere ashtu siç i kishte hije një prej lojtarëve që ka sakrifikuar aq shumë për ekipin tonë kombëtar.

Megjithatë gjithçka është vendosur tashmë dhe me sa duket autori i golit që kualifikoi ekipin tonë për në fazën finale, si në 2016-n edhe në këto finale Europiani në 2024-n rezultoi një mallkim, për autorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë