Kosova

Një vit më pas, KFOR kërkon përgjegjësi për personat që e sulmuan në Zveçan

Nga Gazeta ‘Si’-Një vit pas protestave të dhunshme të serbëve në veri të Kosovës, KFOR përsëriti thirrjen për vendosjen përpara drejtësisë të personave që sulmuan dhe plagosën ushtarët e misionit, që ndodheshin në krye të detyrës.

Në një reagim për ngjarjet e Zveçanit, një vit më parë, komandanti i misionit paqeruajtës, gjenerali Ozkan Ulutas rikujtoi se KFOR, në këto ditë të vështira arriti të shmangte përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Sipas Radio Evropa e Lirë, protestat e serbëve në veri të Kosovës, kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR. Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve rëndë.

“Sot ne nderojmë shërbimin dhe sakrificën e kolegëve tanë, të cilët vunë në rrezik jetën e tyre për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me misionin tonë që del nga mandati i Kombeve të Bashkuara. Kuraja e tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në atë zonë dhe parandaloi përshkallëzimin e mëtejmë të dhunës”, tha Ulutas.

NATO-ja pohon se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës. Pas dhunës, NATO-ja ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë.

“Ne kemi rritur qëndrimin e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet në deklaratën e Ulutasit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë