Drejtësia

Dyshohet se ndërhyri në TIMS, Apeli i refuzon lirinë drejtorit të IT, Ervin Muça

Gazeta Si – Ervin Muça, ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, do të qëndrojë në “arrest shtëpie” deri në fund të hetimeve.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm refuzoi lirinë për ish-drejtorin e dyshuar për hyrje të paautorizuar kompjuterike në sistemin TIMS.

Gjatë paraqitjes në Gjykatën e Shkallës së Parë ai ka deklaruar se nuk ka shkelur asnjëherë detyrën.

Madje ai thotë se i ka bërë backup sistemit, por jo se ka marrë të dhëna prej tij. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe gjatë zhvillimit të seancës, ku dhe i kërkoi që t’i hiqej masa e “arrestit të shtëpisë” dhe të hetohet në gjendje të lirë.

Sipas prokurorisë, Muça në bashkëpunim me persona të tjerë, në 2 gusht të vitit të shkuar kanë ndërhyrë në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit duke eksportuar të dhëna të paautorizuara.

Organi i Akuzës gjatë hetimeve ka arritur në përfundimin se këto veprime janë kryer gjatë orëve të vona të natës.

Për të provuar ndërhyrjen dhe marrjen e të dhënave Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar ndihmë edhe laboratorit të SPAK-ut, ku kjo e fundit ka konfirmuar dyshimet e kolegëve të Tiranës.

Për këtë skandal është ngritur edhe një komision hetimor parlamentar që po merret me rastin, ku vetë Muça është thirrur për të dëshmuar pak javë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë