Politike

Rezoluta anti-korrupsion miratohet me 76 vota, opozita nuk mori pjesë në votim. Rama: Të paktën mos bojkotoni komisionin që ngrihet nesër

Me 76 vota pro, Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste për luften kundër korrupsionit. Dy deputetë të opozitës Dashnor Sula dhe Agron Shehaj votuan kundër, pjesa tjetër e ligjvënësve të opozitës nuk mori pjesë në votim.

Kryeministri Edi Rama i kërkoi me heret opozitës gjatë një fjale të mbajtur në Kuvend që të votojë projekt-rezolutën anti-korrupsion të PS e cila është futur për votim në seancën e të hënës. Ndërsa Rama fliste deputetët e grupit të PD-së së Rithemelimit kanë nisur t’u binin tavolinave.

Kryeministri hodhi poshtë akuzat e opozitës se me këtë rezolutë ai do të kapte SPAK duke nënvizuar se në 10 vite mazhoranca që drejton është në luftë ndaj korrupsionit si asnjëherë më parë.

“SPAK është ilaçi i hidhur që o e pi ose vdes. Kush e pi një herë po dhe një herë jo, jo nuk ka shans të vetëpastrohet por vetëm zgjat agoninë e tyre dhe tretet siç po treteni tek rrugica e shpresës. ….Nuk e ndalin dot si nuk u ndal reforma në drejtësi nuk ndalet as kjo. Prandaj thirrja ime është votojeni draftin e rezolutës, po nuk e gjetët këtë forcë mos e bojkotini nesër komisonin hetimor”, tha Rama.

Projekt-rezoluta i hap rrugë krijimit të një komisioni të posaçëm parlamentar, aty ku qëndron edhe rëndësia konkrete. Ndaj dhe për këtë të fundit Rama pati një kërkesë specifike për opozitën.  

“....E kam për deputetët jashtë perimetrit të PS, ashtu siç nuk u ndal reforma në drejtësi as kjo nisëm e re nuk ndalet. Thirrja ime është votojeni dhe po nuk e gjetët këtë forcë mos e bojkotoni nesër komisionin që do ngrihet menjëherë. Sa herë që u kam thënë këtë sallë, kthejuni memorie, 10 vjet e kusur, mos  e bëni këtë, mos e bëni atë, këtë bëjeni, shikoni e bëjeni këtë, ka dalë siç u kam thënë jo siç keni bërë apo s’keni bërë ju. E dini pse? Për një arsye të thjeshtë. Jo se unë jam më i zgjuar apo më i zoti se ju, pro sepse ju s’keni dashur kurrë ta mësoni se vendimmarrjet me shikimin deri tek hunda jote, rrugën që duket shumë e shkurtër ta bëjnë pafundësisht të gjatë, prandaj ne jemi këtu dhe ju jeni aty. Shëndet me mend në kokë uroj, se keni akoma shumë për të parë, kur flamuri i Shqipërisë do jetë gati për tu ngulur në oborrin e shteteve europiane në Bruksel...”, tha ndër të tjera Rama, duke iu referuar në fakt një qëndrimi paraprak refuzues nga opozita.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë