Lajme

Kavalla, ekzekutohet para banesës 18-vjeçari shqiptar

Një 18-vjeçar shqiptar është viktima e radhës në Greqi. I riu është ekzekutuar me armë zjarri nga afër në orët e vona të mbrëmjes së të martës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qendër të qytetit të Kavalas në veri të Greqisë.

Policia greke thotë se 18-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet publik për momentin, është qëlluar nga pas shpine në momentin që po hynte në banesën e tij.

Mediat greke shkruajnë se në dorën e të riut është gjetur një shumë parash, çka sipas burimeve të policisë përjashton mundësinë që ekzekutimi të ketë ndodhur për grabitje.

Trupi i të riut është transportuar në morgun e spitalit të Kavalas për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore.

Për policinë greke arsyet janë mister, ndërsa rezulton se i riu jetonte prej vitesh në Greqi së bashku me familjen e tij dhe nuk ishte një person problematik për rendin.

Policia greke thotë se po heton rastin në fjalë dhe nuk përjashtohet që pas ngjarjes të qëndrojnë ekstremistët dhe idhtarët e Agimit të Artë. Pikërisht njëri prej tyre ekzekutoi disa ditë më parë 63-vjeçarin shqiptar, Petrit Zifla në një fshat të Korfuzit.

18-vjeçari i ekzekutuar së fundmi është shqiptari i gjashtë që humb jetën në rrethana misterioze në Greqi, që pas vrasjes së Konstandinos Kacifas, ekstremisti grek që terrorizoi fshatin fshatin Bularat të Gjirokastrës dhe më pas mbeti i vrarë në shkëmbimin e zjarrit me forcat RENEA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë