Ngjarje

Nëntori i përgjakur i shqiptarëve në Greqi

Nëntori i përgjakur i shqiptarëve në Greqi u mbyll ashtu siç edhe filloi: me vdekje. Vrasja e Kostandino Kaçifas në Bulurat të Gjirokastrës është pasuar nga vdekja e gjashtë emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj, një prej të cilëve u vra nga plumbat e policisë ashtu si Kaçifas, ndërsa jeta e një tjetër shqiptari emigrant u pre në mes nga dora e një ekstremisti grek, pas një debati në lidhje me etninë.

Gjatë muajit nëntor, asnjë nga institucionet shqiptare nuk pat reaguar për ngjarjet e rënda, përfshi edhe Ambasadën tonë në Athinë dhe Ministrinë e Jashtme shqiptare. Reagimi i parë publik erdhi mëngjesin e së martës, një javë pasi u zbardhën motivet e vrasjes së 63-vjeçarit Petrit Zifle, i cili u vra nga një 44-vjeçar grek, anëtar i “Agimit të Artë”.

Mediat në Athinë thonë se gjithçka ka nisur pas një debati që Zifle pati me ekstremistin grek në një lokal në Drakotina të Korfuzit. Pas konfliktit verbal, emigranti shqiptar u qëllua për vdekje me armë gjahu çifte dhe më pas trupi iu hodh në një kanal pranë një rruge. Zifle kishte vite që jetonte në atë zonë dhe nuk kishte pasur asnjëherë problem me drejtësinë.

Korfuz

Vrasja e tij shënoi herën e katërt brenda një muaji që qytetarët shqiptarë vriten në shtetin fqinj në rrethana mjaft të dyshimta. Disa ditë më parë në afërsi të kufirit shqiptaro-grek u eliminua nga policia greke 39-vjeçari Altin Mulla. Ai humbi jetën në shkëmbim zjarri me forcat greke, të cilat ishin vënë në ndjekje të tij pasi dyshohej se Mulla po kalonte një sasi lënde narkotike. Pa u zbardhur ende kjo ngjarje, një tjetër shqiptar, u gjet i vrarë me mjete të forta në rrugët e Athinës. Po në aq rrethana të dyshimta, më 25 nëntor, në burgun e Trikallas në Greqi, u gjet i pajetë një 35-vjeçar me shtetësi e kombësi shqiptare.    

Por edhe pse kanë kaluar javë, rrethanat e vdekjes së tyre nuk janë zbardhur ende, ndërkohë që autoritetet shqiptare në Athinë dhe Tiranë kanë qëndruar të heshtura. Në reagimin e saj të parë mbi këto vrasje, më 4 dhjetor, MEPJ shprehu keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle dhe “përshëndeti kapjen e autorit nga policia greke”, një reagim ky shumë më i matur krahasuar me atë të Ministrisë së Jashtme Greke pas vrasjes së Kostandinos Kaçifas.

Portali i emigrantëve shqiptarë në Greqi “Focus News” raporton se për vitin 2018 kanë gjetur vdekjen 10 shqiptarë. “Ambasada në Greqi u mbyll derën familjeve të viktimave dhe shpall “non grata” gazetarët që prekin çështje të tilla. I vranë apo gjetën vdekjen aksidentalisht? Asnjë njeri nuk mund të na e thotë nga shteti shqiptar, pasi ai i mëson vetëm nga media e vendit fqinj, pa bërë asnjë hetim”, shkruan ky portal.

Funerali i Kacifas ne Bulurat

Shqiptarët e vrarë gjatë nëntorit në Greqi:

19 nëntor

Adoleshenti shqiptar Enriko Buzani 15 vjeç, humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në qytetin Kyparissia. Ai kishte marrë pa leje makinën e të atit dhe së bashku me të ishin edhe dy shokë të tij 15-vjeçarë. Automjeti i tyre u përplas me një kamion. Fatkeqësisht, tre adoleshentët humbën jetën.

22 nëntor

Altin Mulla vritet në kufi pranë Pogonit nga policia greke. Së bashku me disa persona të tjerë, Mulla kishte kaluar ilegalisht nga kufiri i gjelbër për të trafikuar lëndë narkotike. Ata u diktuan nga policia greke që patrullonte kufirin dhe nisën të qëllonin me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit, Altin Mulla mbeti i vdekur, kurse shqiptarët e tjerë u arratisën.

24 nëntor


Një 38-vjeçar shqiptar humbi jetën në aksident në hyrje të qytetit Malesina. Ai ishte duke udhëtuar i vetëm në makinë kur humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga duke përfunduar në oborrin e një shtëpie. Shqiptari banonte prej vitesh në Greqi dhe njihej si njeri i respektuar nga banorët e zonës.

25 nëntor
Një i burgosur shqiptar në burgun e Trikallas u gjet i pajetë në qeli. Një natë më parë, gjendja shëndetësore e 35-vjeçarit ishte normale kur kishte shkuar për të fjetur. Ai u gjet i vdekur nga gardianët, ndërsa shkaqet janë ende mister.

26 nëntor

63-vjeçari Petrit Zifle, u gjet i vdekur në një kanal në anë të rrugës në Korfuz. Ngjarja ndodhi më 25 nëntor, në Dragotina, Korfuz. Siç kanë pohuar banorë të zonës, Zifla ishte konfliktuar me fjalë një ditë para vrasjes në një lokal të fshatit me autorin, për çështje të karakterit etnik. Autori, i cili është një 44- vjeçar nga Korfuzi, kishte hapur debat brenda në lokal, pasi kishte konstatuar se mjaft prej klientëve nuk ishin shtetas grekë. Sipas të dhënave, ai e ka nisur debatin me disa persona të tjerë fillimisht për çështjen e emrit të Maqedonisë. Më tej dyshohet se anëtari i Agimit të Artë ka replikuar me 63-vjeçarin për vrasjen nga forcat shqiptare të RENEA-s në Bularat të Gjirokastrës të Konstantinos Kaçifas.

Situata ka precipituar dhe është dashur ndërhyrja e klientëve në lokal që ta ndalin. Pasi janë ndarë nga të tjerët, 44- vjeçari grek është larguar duke kërcënuar Ziflën, të cilin në Greqi e quanin me emrin Petro.Një ditë më pas, autori i ka zënë pritë viktimës dhe pasi e ka vrarë, e ka hedhur në një kanal. Trupi i 63-vjeçarit u gjet nga kalimtarët në Korfuz. Policia fqinje bën me dije se shqiptari u gjet i pajetë në një rrugë në zonën Spartera, me plagë të shkaktuara nga plumbat e një arme gjahu. Raportohet se shqiptari kishte humbur kontaktet me familjarët që nga e diela në mëngjes, ndërkohë që trupi i tij është gjetur tri ditë më pas.

Pas gjetjes së kufomës, Policia nisi hetimet dhe në një kohë mjaft të shpejtë arriti të identifikonte autorin. Ky i fundit u vetëdorëzua katër ditë më pas, pasi emri i tij figuronte në listën e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 63-vjeçarit. Mësohet se pas arrestimit ai e ka pranuar krimin.
“Po, unë e vrava”, është shprehur ai në Polici. Për efekt hetimi, Policia nuk ka bërë të ditur të dhëna të tjera për mediat vendëse në lidhje me një dëshmi më të plotë të tij. Por sipas mediave, ai e ka pranuar krimin për shkaqe që kanë pasur karakter etnik. Po sipas mediave greke, ai rezulton anëtar i Agimit të Artë në Lefkimi, madje dhe përfaqësues i kësaj partie në ditën e zgjedhjeve.

29 nëntor

Një 40-vjeçar shqiptar u përplas për vdekje nga një makinë në Selanik. Viktima po kalonte rrugën kur u godit nga një automjet i drejtuar nga një 20-vjeçar. Për shkak të plagëve, 40-vjeçari shqiptar humbi jetën menjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë