Nga Gazeta ‘SI’ – Henerigert Mitri dhe Klodian Shahini janë përjashtuar nga Policia e Shtetit pasi dolën në dosjen e SPAK ku u goditën 7 grupe kriminale.
Vetë drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku ka firmosur përjashtimin e dy efektivëve, për të cilët Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masë sigurimi personal.
Përjashtimi i tyre nga Policia e Shtetit është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.
Henerigert Mitri ishte me detyrë shef i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike. Ndaj tij, GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”.
Ndërsa Klodian Shahini me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër. Ndaj tij GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




