Gazeta Si – Një pasuri me vlerë 300.000 euro i janë sekuestruar një 42-vjeçari dhe familjarëve të tij, gjatë një operacioni të realizuar nga Drejtoria e Pastrimit të Parave në Policinë e Tiranës me vendim gjykate.
Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës bën me dije se dyshohet që pasuritë e 42-vjeçarit Gj.(Sh) Ll., të jenë përfituar nga trafiku i drogës.
Konkretisht u sekuestruan një makinë, një garazh dhe një njësi tregtare në Selitë. Vlera e të gjithave shkon në 300 mijë euro.
Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi Gj. (Sh.), Ll., të cilin autoritetet italiane e kanë dënuar me burgim, për trafikim lëndësh narkotike në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim.
“Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në emër të shtetasit Gj. (Sh.), Ll., 42 vjeç, dhe të familjarëve të tij. Në zbatim të këtij vendimi u sekuestruan një automjet, një garazh dhe një njësi tregtare në Selitë, vlera e të cilave arrin rreth 300.000 euro”, – thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




