Politike

Goditja e 7 grupeve kriminale nga SPAK, Meta: Propagandë, të kishte vepruar para 14 majit! Ndihmuan Ramën të ‘grabiste’ Shkodrën e bashkitë e tjera

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka cilësuar si një propagandë me urdhër të Edi Ramës operacionin e SPAK ku u goditën 7 grupe kriminale dhe u lëshuan 50 urdhër arreste. Në një konferencë për mediat, Meta tha se operacioni i SPAK është i vonuar.

“Metamorfoza, është e gjitha një tablo e qartë e përfshirjes së të gjithë shtetit dhe gjithë Rilindjes, në veprimtari kriminale. Dhe, absolutisht të gjitha faktet që janë bërë publike sot, janë ditur edhe përpara një viti, janë ditur dhe përpara 9 muajsh. Është një operacion më shumë i karakterit propaganistik, përderisa dhe rezultatet e ndalimit të protagonistëve kryesorë, dihet që pothuajse zero. Është gjithçka që kryhet nën diktatin e Edi Ramës. Sepse, duhet të ishte vepruar me kohë, me efikasitet, por kjo gjë nuk ndodhi”, u shpreh Meta.

Meta tha se Prokuroria e Posaçme duhej të kishte vepruar para zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, duke akuzuar Ramën se është ndihmuar nga këto banda kriminale për të vjedhur zgjedhjet në Shkodër dhe bashki të tjera.

“Duhet të ishte vepruar përpara zgjedhjeve të 14 Majit, sepse ‘Metamorfoza’ aty ka qenë prej kohësh. Por duhej që ato grupe, të përdoreshin dhe njëherë nga Edi Rama, për të grabitur bashkinë e Shkodrës, dhe shumë bashki të tjera në Shqipëri. E më pas, për të prodhuar statistika nga halli, dhe nga sikleti, sepse ato dosje dihet, që janë vendosur në dizpozicion nga partnerët europian”, vijoi Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë