Gazeta Si – Në një seancë, e cila zgjati vetëm pak minuta dhe pa praninë e medias, 40-vjeçari Aleks Marku ka thënë para Gjykatës së Durrësit se kishte hapur zjarr pasi “po e sulmonin” dhe se brenda në apartament ishin futur njerëz. “U ndjeva i kërcënuar nga persona që nuk i shihja por më tha djali”, – ka shtuar ai.
Në përfundim gjykata vendosi ta lerë në arrest me burg për tre akuza; armëmbajtje pa leje, shkatërrim prone dhe kundërshtim i forcave të policisë.
Akuza e pengmarrjes u hodh poshtë. Gjatë kohës që ndodhi ngjarja, Marku dyshohet se ishte i dehur dhe nën efektin e lëndëve narkotike.
40-vjeçari nga Lezha u arrestua mëngjesin e së mërkurës nga forcat RENEA, pasi për disa orë mbajti peng dy fëmijët e tij të mitur dhe terrorizoi banorët e zonës së plazhit në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, duke qëlluar herë pas here me kallashnikov.
Policia ka marrë njoftimin rreth orës 02:20 se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri brenda apartamentit të lëshuar me qira, por lirimi dhe dorëzimi i fëmijëve është bërë i mundur vetëm në orën 07:00 të mëngjesit.
Fëmijët e mitur të moshës 6 dhe 11 vjeç qanin në banesë duke i kërkuar të atit të vetëdorëzohej, teksa RENEA negocionte me 40-vjeçarin nga Lezha. Aleks Marku mësohet se ka qëlluar mbi 15 herë nga dritarja me kallashnikov.
Pas disa orësh negociata, RENEA arriti ta bindte 40-vjeçarin që të dorëzohej. Gjithashtu u bë e mundur lirimi i dy fëmijëve 6 dhe 11 vjeç, ndërsa gjatë kontrollit në banesë policia gjeti një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak për ndërmarrjen e këtij veprimi nga ana e 40-vjeçarit janë bërë konfliktet që ai kishte me ish-bashkëshorten e tij, e cila mësohet se ka edhe një urdhër-mbrojtje prej tij. Vetë gruaja tha se problemet në çift kanë qenë të vazhdueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.