Politike

‘Serbia e ndal Shqipërinë e Madhe’, Rama: Shikoni fytyrën e atij që flet. (Thotë gjithashtu se pakti për emigrantët s’përsëritet me shtet tjetër)

Kryeministri Edi Rama nuk është dakord me pretendimin e PD-së zyrtare se rezoluta anti-korrupsion e propozuar prej tij ka si qëllim kapjen e drejtësisë.

 Kryeministri në një konferencë me gazetarët shqiptarë pas samitit në Malin e Zi tha se këto janë spekulime, pasi ndryshimet në drejtësi do duhet të kalojnë përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Ky është muhabet kot. Në rast se do imagjinohej diçka e tillë do duhej të kalonte përmes ndryshimeve kushtetuese. Si mundem unë të kem një synim të tillë kur isha unë me PS që i dhamë jetë SPAK dhe i japim sot mbështetjen pa kushte dhe deri më sot nuk e di të kemi hap ndonjëherë gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK”, tha Rama.

I pyetur nëse opozita do bëhet pjesë e këtij komisioni që do të diskutojë për reformat, Rama tha se draft rezoluta ka kaluar në Kuvend dhe duhet t’i nënshtrohet procedurës parlamentare.

“Nuk jam në dijeni, rezoluta është dorëzuar në Kuvend, siç kemi bërë me reformën në drejtësi do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë. Në këtë rast është e domosdoshme, se për çështje të caktuar duhet konsensus të gjerë. Por edhe se pse në fund të ditës të gjitha partitë nuk e diskutojnë fare që destinacioni është BE, madje grindja lidhet se kush e çon më shpejt Shqipërinë në BE. Të krijohet një zonë e ndaluar për sherret e përditshme politike dhe të flitet teknikisht me gjuhë ekspertize dhe jo me gjuhën e shthurur të politikës së ditës”, tha Rama.

Ai komentoi gjithashtu takimin në Athinë me diasporën

“E vetmja gjë që më vjen keq gjithë përpjekja absurde për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë çdo lloj marrëzie por jo të vërtetën, atë valle kuq e zi në zemër të Athinës, si një takim të bërë me autobusë të administratës. Fyen, lëndohet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e të gjithë atyre që kishim ardhur atje, ishin jo vetëm njerëz shqiptarë që mund të kishin një lidhje simpatie me forcën që qeverisë, por edhe njerëz që nuk na kanë votuar ndonjëherë. Erdhën si shqiptarë si krejt e natyrshme për historinë e shqiptarëve të Greqisë. Është e vetmja gjë për të cilën më vjen keq do mbetet në kujtesë time si një moment i jashtëzakonshëm shqiptar por edhe moment psikologjik kthese jo vetëm në raport të shqiptarëve me Greqinë por edhe me BE-në’, shprehet kryeministri.

A ka kërkesë nga Britania e Madhe për të përsëritur marrëveshjen që Shqipëria bëri me Italinë?

”Është shprehur dëshira nga Britania e Madhe e disa vende të tjera, jo vetëm para dhe pas marrëveshjes me Italinë dhe përgjigjja ime ka qenë jo dhe mbetet Jo. Italia është histori tjetër dhe realitet tjetër në tablonë e marrëdhënieve tona miqësore dhe ndërkombëtare. U kam shpjeguar arsyet pse Italia ha bukë veç”, tha ai

 Kryeministri Edi Rama ka komentuar gjithashtu deklaratat e zv.kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili pas takimit të Ramës në Athinë tha se vetëm ‘bota serbe’ mund ta ndalë Shqipërinë e Madhe.

“Një njeri i mençur ka thënë se pas të dyzetave çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka. Nëse shikoni fytyrën e personit që i referoheni mendoj se nuk ka nevojë për një koment deklaratat e tij”, tha Rama


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë