Politike

Molotov, flakadanë dhe vezë drejt bashkisë së Tiranës (Foto, video)

Nga Gazeta Si- Ndryshe nga protestat paraardhëse, të cilat kanë nisur të qeta, ajo e sotmja e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita (pa PD e Lulzim Bashes) nisi me molotov dhe flakadanë. Gjithashtu nuk munguan as vezët dhe perime të ndryshme.

Disa minuta pas fillimit të protestës, dera kryesore e bashkisë u mbulua nga flakët dhe tymi që lënë pas molotovët.

Ndërkohë, as këtë herë nuk kanë munguar tentativat për të rrëzuar gardhin metalik, në mënyrë që këshilltarët bashkiak të futen brenda.

Duke lidhur litarë, protestuesit tentuan të hedhin në tokë gardhin, ndërkohë që të tjerë hidhnin molotov drejt bashkisë, pavarësisht thirrjeve të policisë për të mos përdorur lëndë piroteknike.

Pasi arritën të rrëzonin gardhin metalik, protestuesit janë larguar, duke lënë takim të martën tjetër.

Belind Këllici ‘arreston’ Erion Veliajn

Gjatë fjalës së tij në protestën para Bashkisë Tiranë, Belind Këlliçi i ka vënë prangat një personi i cili mbante një maskë në fytyrë me pamjen e kryebashkiakut Erjon veliaj.

Ai u shpreh se ky është një akt simbolik dhe kjo do të ishte pamja e kryebashkiakut së shpejti.

Ndërsa Dorjan Teliti theksoi se qëndresa qytetare do të vazhdojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryetarit Erion Veliaj si i përfshirë në dosjen 5D ku janë arrestuar ish drejtorë të bashkisë.

Më herët, në një njoftim, policia ka kërkuar që qytetarët të qëndrojnë larg dhunës, thirrje që është injoruar nga protestuesit.

“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, shkruhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë