Politike

Balla: Asnjë vend i rajonit s’mund të trajtojë i vetëm sfidën e migracionit ta paligjshëm

Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot se falë angazhimit të institucioneve ligjzbatuese, gjatë vitit 2024 ka pasur një ulje të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në fushën e emigrimit.

I pranishëm në Konferencën Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Balla tha se asnjë vend në rajonin tonë nuk mund të trajtojë i vetëm sfidat e migracionit të paligjshëm.

Ai tha ndër të tjera se lufta ndaj migracionit të paligjshëm kërkon më shumë akses në procedurat e azilit.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në nivel operacional, duke organizuar më shumë aktivitete hetimore dhe goditjen e rrjeteve të kontrabandimit, në nivel rregullator, duke përmirësuar kuadrin tonë legjislativ dhe duke zgjeruar bashkëpunimin me vendet e treta për ripranimin, por edhe duke përdorur platforma për të ndarë të dhëna në kohë reale për të dhënë zgjidhje të shpejta dhe efektive për sfidat e zakonshme”, tha Balla.

“Por nga ana tjetër duhet vlerësuar dhe realiteti aktual se shumë migrantë janë të detyruar të ndërmarrin rreziqe të jashtëzakonshme për shkak të rrugëve të kufizuara ligjore dhe mungesës së alternativave të qëndrueshme në vendet e tyre.

Për këtë arsye nevojat e atyre që mbërrijnë në kufijtë tanë duhet të adresohen me dinjitet dhe respekt”, u shpreh Balla.

“Domosdoshmëri mbetet edhe mbështetja e mëtejshme nga partnerët evropianë për ndërtimin e sistemeve të shkëmbimit të informacionit, veprimeve të përbashkëta dhe analizës së riskut për të monitoruar kufijtë në formë efektive dhe kontrolle të krimeve të kalimit kufitar”, u shpreh Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë