Kryeministri Edi Rama deklaroi qeveria shqiptare po negocion me Filipinet për krah pune.
Në një intervistë në medie, Rama theksoi se mungesa e forcës së punës është një problem që nuk ka prekur vetëm vendin tonë por të gjitha vendet.
Rama foli për ftesën që iu drejtoi shqiptarëve në Greqi për t’u kthyer dhe për të investuar në agroturizëm.
“Unë mendoj shumë thjesht dhe sot nuk ju thashë hajde kthehuni, por atë që besoj që sot kush është në Greqi, ka bërë punë, ka fituar eksperiencë, ka në Shqipëri një pronë në fshat, një shtëpi të vjetër një mundësi që të investojë, as nuk diskutohet. E ka të sigurtë se në fund të vitit do të fitojë këtu shumë më shumë se fitojnë me pagën që marrin. 800 euro merr një kamarier në Radhimë e fle tek prindërit e nuk ka nevojë të paguajë. Ka plot shqiptarë që janë kthyer dhe janë prova që kjo funksionon dhe jemi në një cikël që do të fillojë duke u zbutur, e tregon koha. Në gjithë atë furi zhurme e rrëmuje, shumë gjëra nuk besohen”, u shpreh ai.
Sot bizneset në Shqipëri, nënvizoi Rama, i kanë të gjithë kapacitetet të marrin punëtorë të huaj.
“Çdo shqiptar që ikën, është një krah pune që ikën, ndërkohë që ne duam më shumë krahë pune. Por nga ana tjetër, sot bizneset në Shqipëri i kanë të gjithë kapacitetet të marrin punëtorë të huaj dhe fillon dhe bëhet një lloj balancimi i një niveli të caktuar punëtorësh të huaj që deri dje për shembull, punëtorët e Bangladeshit tani as nuk shkojnë t’i kërkojnë, kërkojnë punëtorë më të kualifikuar. Sot që flasim, ne po bëjmë një negociatë me Filipinet. Tani të të jap një shembull: Filipinet kanë shumë popull dhe shumë krahë pune dhe e përdorin këtë. Po të shikosh radhën e vendeve që nga Austria e vende të tjera plot, 38 vende janë në radhë për të nënshkruar marrëveshje me Filipinet që të marrin krahë pune. Kjo është një situatë e përgjithshme”, deklaroi Rama.
Rama: Njohja e pensioneve me Greqinë në proces, presim hap tjetër të madh
Kryeministri Edi Rama u ndal tek çështja e pensioneve me Greqinë ndërsa foli për takimin që zhvilloi me shqiptarët në Athinë.
Rama tha se marrëveshja me Greqinë është futur në proces dhe janë ngritur grupet e punës, ndërsa shumë shpejt do të materializohet një tjetër hap i madh.
Rama vuri në dukje se në vitin 2013, e gjeti Shqipërinë me vetëm një njohje dhe sot janë arritur një seri njohjesh, ndërsa u mundësua edhe njohja më e vështirë me Italinë.
“Ka ardhur në pushtet një forcë tjetër dhe është një kryeministër tjetër dhe falë politikës tonë me Italinë dhe falë mënyrës si ne i jemi qasur Italisë morëm atë që quhej gjëja më e vështirë. Është një barrë e madhe financiare për Italinë njohja e pensioneve dhe për të thënë që marrëdhëniet me qeverinë greke dhe kryeministrin Mitsotakis unë mendoj që janë marrëdhënia më produktive që kemi pasur ndonjëherë mes Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh Rama.
“Kemi marrëdhënie produktive sepse marrëveshja është futur në proces, pra ne kemi filluar kemi ngritur grupet e punës dhe ekspertëve. Ajo është negociatë, është proces dhe asnjëherë grekët nuk kanë pranuar që të ulen në tavolinë për të filluar diskutimet. Sa i përket dokumentave shumë shpejt do të materializohet një tjetër hap i madh, ai i lejeqëndrimit dhe ai i shtetësisë si e drejtë natyrale. Kjo është pjesë e strukturës dhe hapësirës së politikës greke ku mendoj që kemi hapur hapësira që nuk i kemi pasur”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



