Politike

Gjiknuri: Takimi në Athinë edhe politik, një pjesë e deputetëve dhe bashkiakëve u morën me organizimin

Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, tha se mesazhet e kryeministrit Edi Rama në Athinë të dielën nuk ishin nacionaliste, por të përulura. I ftuar në ‘Debat’ në A2CNN, Gjiknuri tha se takimi ishte edhe politik.

“Është momentumi, se ky është edhe takim politik. Ka edhe një çështje me Greqinë. Aty u fol edhe për angazhime konkrete, angazhime u morën, por këto nuk zgjidhen vetëm, duan edhe angazhimin e qeverisë greke. Në fakt, ka një ngërç mes marrëdhënieve me qeverinë greke, elefantin e kemi në dhomë, është çështja e Belerit. Kryeministri ka dashur të dialogojë me qeverinë greke, ka qenë qeveria greke… për ato arsye që ajo ka gjykuar, qoftë për politik të brendshme sepse dhe ata kanë rrymat e tyre më nacionaliste. Ama kryeministri Rama ka dashur, por nuk ka gjetur mënyrë për të dialoguar”.

Gjiknuri theksoi gjithashtu se në atë takim, kanë marrë pjesë njerëz edhe nga Shqipëria.

“Vizita kishte edhe dimensionin kombëtar dhe politik, europian dhe në funksion të objektivave politikë që ka kryeministri Rama. Nuk kam parë takim më entuziast se ai i Athinës më shumë edhe se në takimet që janë bërë në Shqipëri as në përmbylljet e fushatave të zgjedhjeve ishte një lumë energji dhe ndjesi që të bënte krenar gjithçka ishte origjinale, asgjë e orkestruar. Ka pasur edhe qytetarë që kanë ardhur nga Shqipëria, por një pakicë e vogël”.

Ai vërejti se ky ishte takim i organizuar nga Partia Socialiste dhe deputetët e kryebashkiakët ishin aty për të nxitur bashkatdhetarët.

“Natyrshëm që ky ishte takim i organizuar nga PS dhe të gjithë njerëzit që lidhen më qarqe. Athina është qyteti i dytë më i madh me shqiptarë, mund të jetojnë mbi 300 mijë shqiptarë. Ky ishte takim i mirëfilltë i PS. Një pjesë e deputetëve dhe bashkiakëve ishin për organizimin, që të nxisnin njerëzit, komunitetet e bashkatdhetarët që mund të jenë edhe votues të PS. Ky ishte qëllimi i mirëfilltë. Çdo tubim politik do organizim, përgatitje. Në kushte të vështira mos të harrojmë që deri ditën e fundit nuk kishim asnjë sallë të garantuar. Është elementi patriotik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë