Treg

Shqiptarët të painteresuar për borxhin e qeverisë, bien investime në Bono e Obligacione

Nga Gazeta ‘SI’ – Interesi i shqiptarëve për të investuar në borxhin e qeverisë është zbehur.

Të dhënat e fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për tre muajt e parë 2024, individët blenë 12.1 mld lekë borxh me rënie vjetore 20%. Gjithsesi ata mbeten mbajtësit kryesorë të borxhit të qeverisë, në amsën 69%.

Rrjedhimisht, rënie ka patur dhe numri i transaksioneve që u ul me 25%, në 4.4 mijë.

AMF raporton se tkurrja më e fortë ka ndodhur tek Obligacione, ku investimet e qytetarëve janë përgjysmuar nga 2023-shi, nga 1.2 mijë në 600 transaksione. Edhe blerjet e Bonove të Thesarit janë ulur nga një vit më parë, me rreth 20%.

Të ndara sipas vlerës, nga janari në mars, qytetarët shqiptarë blenë 9.6 mld lekë Bono, kryesisht 12 mujore  dhe 2.4 mld obligacione, kryesisht 2- vjeçare.

Zbehja progresive e interesit për letrat me vlerë lidhet me rënien e yield-eve pranë normës së interesit, që garanton për investitorët një kthim minimal. Po ashtu është indikator që shpreh pasiguritë e investitorëve për të ardhmen lidhur me normën e interesit dhe inflacionin.

Në 2022-shin, kur yield-et e titujve ishin dyfish më të larta se tani, individët blenë 200 mld lekë borxh të qeverisë. Ishte e njëjta periudhë kur qeveria dhe Banka e Shqipërisë nisën një fushatë informimi dhe bindje drejtuar qytetarëve për të investuar në to, “risk zero dhe kthim i lartë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë