Gazeta Si – Me gjetjen e trupave të Alma Arrazit dhe 3 fëmijëve të saj, djalit 3-vjeçar dhe vajzave 9 e 8 vjeçe, të cilët u vetëmbytën mbrëmjen e 2 majit, është mbyllur këtë të martë operacioni i kërkimit të forcave RENEA dhe ushtrisë në lumin Buna.
Sipas burimeve, trupi i Alma Arrazit, që është viktima e katërt, u gjet në fshatin Pentar të njësisë Dajç nga polumbarët e forcave RENEA.
Më herët, gjatë ditës së sotme është gjetur dhe trupi i fëmijës së mitur 3-vjeçar, ndërkohë që gjatë 2 ditëve të fundit janë gjetur trupat e pajetë të vajzave të familjes, përkatësisht 8 dhe 9 vjeçe.
Ngjarja në Shkodër që ka sjellë mbytjen e nënës me 3 fëmijët e saj, dyshohet se ka pasur si shkak dhunën që babai ushtronte mbi familjen e tij.
Për rastin e rëndë, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin Erdgys Arrazi për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së tyre si pasojë e dhunës.
Ka qenë 31-vjeçari që ka kallëzuar në polici më 3 maj se 1 ditë më parë ishin larguar nga banesa bashkëshortja e tij, 39-vjeçarja Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e tyre të mitur, përkatësisht 9, 8 dhe 3 vjeç.
Menjëherë më pas, është ngritur një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Ka qenë një peshkatar i zonës që ka konstatuar trupin e 9-vjeçares Arrazi më 4 maj rreth orës 22:00 në ujërat e lumit Buna në fshatin Darragjat, gjë që ka intensifikuar kërkimet me pistën e vetëvrasjes dhe vetëm një ditë më pas janë krijuar dyshime të arsyeshme se Alma Arrazi së bashku me fëmijët e saj është hedhur nga ura e Bunës.
Nga rrjedha e lumit trupat janë shpërndarë në një distancë prej 14 kilometrash për shkak të rrymave të ujit.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes tronditëse, ndërsa bashkëshorti i Almës, Erdys Arrazi, është lënë në burg këtë të martë, pasi akuzohet se ishte ai që ka shtyrë të bshkëshorten drejt aktit të vetëflijimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.