Nga Gazeta 'SI' - Zhvlerësimi i fortë i valutave në Shqipëri, ka nxitur një reagim nga Konfindustria, lidhur me tregun e karburanteve.
Konfederata e industrive të Shqipërisë, në një reagim për median thotë se si pasojë e rënies së kursit të këmbimit, çmimet e karburanteve duhet të ulen, por kjo nuk është reflektuar në tregun shqiptar. karburantet importohen nga vendet prodhuese, kryesisht me dollarë, kur arrijnë në Shqipëri, vlera e blerjes amortizohet përballë forcimit të lekut, duke çuar (teorikisht) në ulje të çmimit të produktit.
Duke e quajtur “kartel” tregun e hidrokarbureve në vend, Konfindustria kërkon ndërhyrjen e institucioneve rregullatore.
“Konfindustria vlerëson, se forcimi në nivele historike i Lek-ut ndaj Dollarit $ dhe Euro-s nuk po ndikon në uljen e çmimeve të karburanteve në vend. Tregu i karburanteve në Shqipëri, i organizuar në formën e kartelit dhe oligopolit si edhe mosveprimi i institucioneve rregullatore, nuk e përcjell forcimin e Lek-ut në uljen e çmimeve fundore për qytetarët dhe bizneset. Fuqizimi i Lek-ut ka arritur në muajin prill dhe maj 2024 nivele të krahasueshme me periudhën e kulmit të sezonit turistik 2023. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të ketë çmime të tepër të larta të karburanteve në krahasim me shtetet e tjera të rajonit si Kosova dhe Maqedonia”, thuhet në reagimin e Konfederatës.
Reagimi vazhdon duke krahasuar çmimet e Shqipërisë me rajonin, ku sigurisht vendi jonë kryeson listën.
“Duke barazvlerësuar dhe ngarkesën fiskale përkatëse, çmimet e karburanteve në Shqipëri në muajin prill dhe javën e parë të majit 2024 janë të paktën 25-30 lek më të shtrenjta sesa në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. P.sh produkti naftë në Kosovë në shitjet me pakicë në javën e parë të majit 2024 tregtohej në kufijtë e 1,16-1,18 euro/litër, ndërkohë në tregun e Shqipërisë ishte 180 -185 lekë/litër ose afërsisht 1,8-1,85 euro/litër me kursin e sotëm valutor. Përmendim, se shtetet në fjalë kanë kosto shtesë krahasimesh Shqipërisë në tregun e karburanteve”, sqaron Konindustria.
Shqetësim i Konfederatës është edhe cilësia e karburanteve që tregtohet në Shqipëri.
“Konfindustria vlerëson, se çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri përcillen si inflacion i drejtpërdrejtë te qytetarët, rritjen e kostove të bizneseve prodhuese dhe uljen e fuqisë konkurruese përballë importeve me pasja tepër të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare. Përveç çmimeve të larta tregu i karburanteve paraqet shqetësime serioze edhe për sa i përket cilësisë së dobët dhe vjedhjeve në volumet e shitjes me pakicë për qytetarët dhe bizneset”,përfundon njoftimi për median.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.