Pas mbledhjes me kryeprokurorin Olsian Çela dhe kreun e SPAK, Altin Dumani, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dha një prononcim për mediat ku u shpreh se një Kod i ri penal është i nevojshëm, por do duhet t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë publik.
“Duhet një Kod i ri Penal, jemi në procesin e negociatave të integrimit në BE, është kërkesë e Brukselit. Kemi një Kod Penal të miratuar në 1995. Në këtë Kod Penal për shkak të zhvillimit është ndërhyrë 33 herë, ndaj Brukseli, por edhe koha kërkon që të kemi një kod të ri penal”.
Ndërkohë ai njoftoi se është dorëzuar një draft në Ministrinë e Drejtësisë, i cili reflekton 61 direktiva të BE.
“Ka një draft që është dorëzuar në ministri, por që do duhet t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë publik. Do jetë një kod penal që do i rezistojë kohës për 20-30 vitet në vijim. Reflektohen në atë draft 61 direktiva të BE”.
Ministri tha shpjegim edhe për kërkesën e Dumanit për qartësim të statusit të prokurorëve pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar, ku tha se do t’u garantohet e drejta për të ushtruar profesionin e tyre në Prokurorinë e Apelit.
“Lidhur me kërkesën e kreu të SPAK për të qartësuar statusin e prokurorit pas mandatit 9 vjeçar. Tjetër gjë është e drejta që parashikon, ligji tjetër gjë është garantimi i ushtrimit të profesionit. SPAK është prokurori baraz me Prokurorinë e Apelit. Prokurorët e SPAK do tu duhet të garantohet profesioni në Prokurorinë e Apelit”.
Përsa i përket rikandimit, Manja tha se deri tani janë në fuqi rregullat e parashikuara nga Kushtetuta, por kur të shtrohet ky diskutim, qeveria do të ketë një qëndrim të saj.
“Kushtetuta kërkon një vullnet më të gjerë se mazhoranca”, tha Manja.
Ligji për amnistinë penale
Sa i takon amnistisë penale, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja thotë se të gjitha përgjigjet do t’i japë ditën e enjte në Kuvend, në një interpelancë që ka kërkuar Partia Demokratike.
“Është një nga ligjet më qëllim mira që janë miratuar në atë parlament. Rreth 800 vetë janë bashkuar me familjet e tyre dhe të përshtaten me shoqërinë”.
Sipas ministrit, nuk ka asgjë për të fshehur në atë ligj, dhe se parlamenti do ta aplikojë “sa herë të jetë e nevojshme”.
Partia Demokratike akuzon mazhorancën dhe Rithemelimin për pazare me amnistinë penale, duke thënë se e kanë bërë për të liruar zyrtarët e korruptuar.
SPAK ka bërë me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga amnistia votuar në 4 prill në Kuvend.
Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tenderë apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.
16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



