Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, pas një takimi me socialistët e Shkodrës u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me paraqitjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në SPAK një ditë më parë, ku deklaroi se “nuk do të gjykojmë dhe nuk do të komentojmë asnjë veprim të drejtësisë së re”.
Sekretari i Përgjithshëm i mazhorancës u shpreh se drejtësia e re është ndërtuar me vullnetin dhe votat e PS-së dhe “e kemi ngritur këtë drejtësi të re me parimin e parë që politika të mos ndërhyjë në vendimmarrjen e saj”.
Klosi gjithashtu fajsoi opozitën në rast të dështimit të Reformës zgjedhore, përfshirë këtu edhe votën e emigrantëve dhe depolitizimin e Komisioneve.
“Do të kishim shumë dëshirë që të realizonim votën e emigrantëve, do të kishim shumë dëshirë të realizonim depolitizimin e Komisioneve Zgjedhore por mungesa e opozitës shumë gjatë në atë komision na e bëri të pamundur të gjenim diskutim, negocim dhe vendimmarrje në komision”.
Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025, Klosi tha se PS po punon që të marrë edhe mandatin e katërt. Reforma Zgjedhore sipas tij deri më tani ka ngecur për mungesë vullneti nga opozita.
“Përsa i përket procesit zgjedhor jemi vetëm një vit nga dita e zgjedhjeve 2025, shumë pak kohë për një forcë politike që kërkon të marrë mandatin e katërt dhe një forcë politike që kërkon të fitojë përsëri ashtu siç fituam në zgjedhjet e fundit lokale kudo në Shqipëri.
“Mungesa e vullnetit nga krahu i opozitës na la në një situatë e cila tashmë i është drejtuar Parlamentit dhe besoj fort se Parlamenti do të ketë vullnetin me 84 vota për të realizuar disa problematika që kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore” tha Klosi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



